Policia ka lokalizuar vendodhjen e 35-vjeçarit grekë Kostandinos Kaçifa i cili qëlloi me armë zjarri ditën e some në Bularat drejt policisë shqiptare, ndërsa po zhvillohej ceremonia për ushtarët e rënë grekë gjatë luftës së dytë botërore.
Ai ndodhte në depon e ujit të fshatit Bularat dhe vazhdon të qëllojë në ajër. RENEA ka rrethaur zonën ku ndodhet 35-vjeçari por ende nuk ka bërë të mundur arrestimin e tij. Pas ngjarjes ai u fsheh thellë në Bularat.
Kaçifa i përket minoritetit grek dhe dyshohet të jetë person me probleme mendore.
NJOFTIMI I PLOTË
Rreth orës 10:00 në krye të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa, rreth 35 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tye.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë.
Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe sherbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.
Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër kanë shkuar forcat speciale Renea.
Shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.
Vijon ndjekja
(B.H/Faxweb)