Artisti i njohur Zef Deda ka mbajtur një fjalim prekës para Teatrit “Migjeni” në Shkodër ku ju bashkua thirrjes së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar në peticionin për ta rindërtuar këtë të fundit siç ishte.
Ai gati i përlotur, në nisje të fjalës së tij, ka puthur muret e Teatrit “Migjeni” ku më pas tha se nuk ka forcë në botë që mund t’i luajë themelet e tij, ndërsa pohoi se nëse shqiptarët e artdashësit do të ishin të gjithë bashkë, nuk do e lejonin shembjen e Teatrit Kombëtar.
“Nuk ka forcë në botë që mund ta luajë themelin e saj. Në mënyrën më tradhëtare, se po të ishim ne, ju artistët shkodranë, po të ishte vlonjati, gjirokastriti e korçari, tan natën aty roje nuk do guxonin. Super komuniste, super fashiste, pa edukatë, se nuk duan kulturë, nuk duan të ardhme. Ajo mafie e mohon e cila është mafie në të gjitha sektorët, në bujqësi, ndërtim, në shkollë, në arsim. E shkatërruan këtë vend. E gjithë rinia jonë për të ikur nga këtu. Jo Shkodër, jo Tiranë, jo Durrës, mbajeni fëmijën aty, ta ngremë në këmbë Teatrin.
Për hatrin e atyre korifejve të mëdhenj, që kaluan jetën në atë skenë. Ashtu siç ka qenë edhe kjo sallë para 470 vjetëve, është në këmbë. Ku ka luajtur edhe i madhi, i paarritshmi, Aleksandër Moisiu. E pse nuk u mbaka në këmbë një sallë, që mban gjakun e gjithë njerëzve që kanë luajtur aty. Po jo mafia komuniste, kriminale, kanabiste do ta përdor për motive të pista sa thonë s’na duhet arti, artistat, se manipuluan edhe artistët e mëdhenj. Kanë arritur deri aty sa nuk kanë shkuar as tek fëmijët e tyre artistët që e mbrojtën për 2 vite e gjysëm, si njohën as fëmijët e tyre. Aleanca për Teatrin e të gjithë në këmbë. Duam të hyjmë në Europë me zor që as qepën nuk e prodhojmë dhe shembim Teatrin. Çohemi në këmbë për bujqësinë, blegtorinë, arsimin, kulturën, për korifejtë. Rroftë Teatri.
(F.GJ/FAXWEB.AL)