Në një deklaratë të fortë që ka ngjallur reagime brenda dhe jashtë Amerikës, ish-presidenti Donald Trump ka hedhur poshtë ofertën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të blerë 10 sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot, duke e akuzuar hapur Ukrainën për nxitje të luftës me Rusinë.
“Ju nuk filloni një luftë kundër dikujt 20 herë më të madh se ju dhe më pas shpresoni që njerëzit t’ju japin disa raketa,” deklaroi Trump nga Shtëpia e Bardhë.
Kjo deklaratë vjen vetëm pak ditë pasi Zelensky, në një intervistë për mediat e huaja u shpreh i gatshëm të blejë me fonde të Ukrainës sistemet amerikane Patriot me një kosto prej rreth 15 miliardë dollarësh për të mbrojtur qytetet nga bombardimet e vazhdueshme ruse.
“Ne nuk kërkojmë ndihmë falas. Do të paguajmë për gjithçka,” tha lideri ukrainas, duke i bërë apel Uashingtonit që të mos e braktisë në një moment kritik të luftës.
Megjithatë, presidenti amerikan duket se po sinjalizon një zhvendosje të fortë të politikës amerikane ndaj Ukrainës. Jo vetëm që nuk ka mbështetur ndonjë paketë të re ndihme ushtarake, por ka ndërprerë përkohësisht edhe ndihmën e miratuar nga administrata Biden, duke e lidhur atë me një marrëveshje për burimet minerale ukrainase.