Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina nuk do të pranojë asnjë marrëveshje dypalëshe për të ardhmen e saj të arritur nga Moska dhe Uashingtoni në mungesë të saj dhe i bëri thirrje Evropës që të mbajë qëndrim në tryezën e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës.
“Sot është e rëndësishme që jo gjithçka të shkojë sipas planit të Putinit, në të cilin ai dëshiron të bëjë gjithçka për t’i bërë negociatat dypalëshe (me SHBA)”, u tha Zelensky gazetarëve.
Kujtojmë se presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump filloi një përpjekje të beftë diplomatike në shumë fronte të mërkurën, për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë, pas një shkëmbimi të suksesshëm të burgosurish me Rusinë.
Trump njoftoi se do të takohet së shpejti me presidentin rus. Po kështu një ekip i udhëhequr nga Nënpresidenti JD Vance do të takojë udhëheqësin ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Trump parashtroi kushtet e tij për vazhdimin e përkrahjes amerikane për Ukrainën ndërkohë që filloi përpjekjet diplomatike që synon t’i japin fund sulmit gati tre vjeçar të Rusisë ndaj këtij vendi.
Komentet e Presidentit Trump përmbyllën një ditë të furishme diplomatike që përfshiu telefonata me homologët e tij, rus dhe ukrainas. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky konfirmoi që ai dhe Presidenti Trump kishin patur një bisedë “të gjatë”.
Në një takim të mërkurën me sekretarin e ri amerikan të thesarit mbi një marrëveshje të mundshme ekonomike, Presidenti Zelensky nënvizoi kërkesën kryesore të Ukrainës në planin e saj të paqes – anëtarësimin e Ukrainës në NATO – dhe nevojën e saj për garanci për siguri.