Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën se shpreson se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa do të përfshihen në bisedimet e mundshme për t’i dhënë fund luftës së vendit të tij me Rusinë.
Duke folur në një konferencë për media përkrah presidentes së Moldavisë, Maia Sandu, Zelensky tha se edhe Ukraina duhet të përfshihet në çfarëdo bisedimesh për përfundimin e luftës, në mënyrë që negociatat të kenë ndikim domethënës.
“Në lidhje me atë se cila do të jetë përbërja e bisedimeve: shpresoj shumë se Ukraina do të jetë atje, dhe Amerika, Evropa dhe rusët”, tha Zelensky.
Më vonë, ai sqaroi se ende nuk është vendosur ndonjë kornizë bisedimesh.
“Po, do të doja shumë që Evropa të marrë pjesë, sepse ne do të jemi anëtarë të Bashkimit Evropian”, shtoi ai,
Zelensky tha se beson se presidenti amerikan, Donald Trump, mund t’i japë fund luftës, duke shtuar se ai mund ta rrijë këtë vetëm nëse e përfshin edhe Ukrainën në bisedime.
“Përndryshe, nuk kryen punë. Sepse Rusia nuk do që lufta të përfundojë, ndërsa Ukraina dëshiron t’i japë fund asaj”, shtoi ai.
Gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, Trumpi thoshte vazhdimisht se do t’i jepte fund shpejt luftës dhe këtë e përsëriti edhe pak ditë para se ta merrte detyrën. Tani, ai thotë se mund të nevojiten muaj për këtë.
Në ditët e fundit, Trumpi ka bërë komentet më të ashpra deri më sot ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për të cilin shpesh ka folur me admirim.
Më 22 janar, Trumpi, duke iu drejtuar homologut të tij rus me emër, paralajmëroi Moskën se do të përballet me tarifa, taksa dhe sanksione të reja “të larta” nëse nuk e ndalë shpejt pushtimin e plotë të Ukrainës.
Ai sugjeroi gjithashtu se do të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të pranonte bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës.
Të premten, Putini tha se dëshiron të takohet me Trumpin për të biseduar për Ukrainën. Ai e përmendi si pengesë për negociata një dekret të vitit 2022 nga Zelensky, i cili ndalon bisedimet me Putinin.
Zelensky tha të shtunën në konferencë se e bëri këtë ndalesë për të mos e lejuar Putinin të formojë kanale të tjera komunikimi me bashkëbisedues në Ukrainë.
Zelensky shtoi se Rusia u përpoq vazhdimisht ta bënte një gjë të tillë para se ai ta nënshkruante dekretin.
Lufta në Ukrainë filloi në vitin 2014 me pushtimin dhe aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë nga Kremlini dhe u përshkallëzua me pushtimin e plotë të saj nga Rusia në shkurt 2022.rel