Ndërkohë që Shqipëria është në emergjencë kombëtare, ku mijëra banorë kanë mbetur pa shtëpi në Tiranë, si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit, Ujësjellësi i Tiranës ka gjetur kohën për të shpenzuar 5 miliardë lekë (të vjetra) për ngritjen e një godine të re.
Në Buletinin e Prokurimit Publik të datës 2 Dhjetor 2019, ndërmarrja e Ujësjellësit të kryeqytetit, nën varësinë e Erion Veliaj, ka publikuar njoftimin për zhvillimin e tenderit për ngritjen e një godine të re për institucionin.
Sipas të dhënave publike, fondi limit për tenderin që pritet të zhvillohet në fund të muajit Dhjetor është 480 milionë lekë të reja (rreth 5 miliardë lekë të vjetra ose rreth 5 milion dollarë).
Qeveria shqiptare, e cila ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore, tashmë është në garë me kohën për të siguruar fonde për rindërtimin e banesave të shkatërruara nga tërmeti, një pjesë e të cilave në territorin e Tiranës.
Por kjo situatë duket se nuk e ka shqetësuar aspak administratën e Erion Veliajt që të kryejë investime, të cilat konsiderohen “luksi” në këtë moment të vështirë për qytetarët dhe financat publike.
Për më tepër, ngritja e një godine të re për Ujësjellës-Kanalizime Tiranë nuk duket se është një çështje urgjente. Aktualisht, ky institucion ka zyrat kryesore në godinën e një ish-kompanie celulare që mbylli aktivitetin disa kohë më parë.
Zyrtarët e Ujësjellës-Kanalizime Tiranë gjenden në godinën ultra-moderne prej të paktën dy vitesh. Madje, në fund të vitit të kaluar, Ujësjellësi i Tiranës shpenzoi disa qindra milionë lekë për sistemin dhe mobilimin e këtyre zyrave të reja.
Por, pas sistemimit të vitit të kaluar, tashmë Ujësjellësi në varësinë e Veliajt ka menduar të akomodohet në një godinë të re. E, për të realizuar këtë qëllim, është vendosur të shpenzohen rreth 5 miliardë lekë, pikërisht në kohën kur mijëra qytetarë nuk e dinë se kur mund të kenë një strehë mbi kokën e tyre, shkruan Boldnews.al.
Ky shpenzim “luksi” rrëzon edhe propagandën e “Lali Erit”, i cili, ditën pas tërmetit të 26 Nëntorit, deklaroi publikisht se Bashkia e drejtuar prej tij do të ndihmonte me rreth 1 miliardë lekë (të vjetra) bashkinë e Krujës, pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në Thumanë.
“Sot akordojmë menjëherë një ndihmë prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës, aty ku ndodhet Thumana”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj disa ditë më parë.
Mëngjesin e sotëm kryeministri Rama tha prerë se në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk do të ketë asnjë shpenzim luksi, as për makina, dhe as për zyra, madje propozoi që kryebashkiakët të lëviznin me kalë, në rast se do të kishin nevojë immediate për mjete.
“Ne do të kalojmë si fazë të parë nga buxheti i 2020, 0.4% të PBB duke u siguruar që deficiti primar pozitiv të mbetet pozitiv, asnjë ndryshim parametrash që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e gjithë sistemit makroekonomik. Po studiohet edhe cilat fonde mund të transferohen.
Ka një zë që lidhet me të gjitha shpenzimet, në vitin e ardhshëm nuk do të blihet asnjë makinë, nuk do të pajisjet asnjë zyrë, nga ato që kanë qenë rutina dhe do të bllokohen blerjet e makinave, dollapëve, koltuqeve, TV-ve në të gjithë bashkitë e vendit.
Kush do të jetë keq për makinë të gjejë një kalë edhe nuk ka problem, kryetar bashkish me kuaj do të ishin një inovacion ekologjik. Edhe sidomos kryetarët e njëzive administrative do të ishin të mirëseardhur në komunitet, qe te mos levizin me vetura neper qendrat e qyteteve”, tha Rama mëngjesin e sotëm.