Gjermania lehtësohet! Bundestagu votoi në raundin e dytë me shumicë të cilësuar duke zgjedhur Kancelarin e ri, liderin e CDU, Friedrich Merz. 325 vota nga 630 deputetë që ka Bundestagu, votuan për Merz dhe qeverinë e përbashkët CDU-CSU-SPD.
Raundi i parë i votimit dështoi pasi Merz nuk arriti të merrte 316 votat e nevojshme, por siguroi vetëm, 310.
Grupet parlamentare që përbëjnë koalicionin CDU/CSU dhe SPD kanë së bashku 328 vende në Parlament.
Bundestagu e rifilloi seancën e tij pasdite me miratimin fillimisht nga deputetët të një kërkese për shkurtimin e afatit për zhvillimin e raundit të dytë të votimit. Mocioni u paraqit bashkërisht nga CDU/CSU, SPD, të Gjelbrit dhe të Majtët.
Qeveria pritet të formohet brenda kësaj të marte dhe të nisë nga puna po ashtu që sot.
Betimi si kancelar dhe nisja nga puna e Qeverisë
Procedura parashikon që pas zgjedhjes nga Parlamenti, Merz merr emërimin nga presidenti Steinmeier. Më pas ai kthehet në Bundestag, për të bërë betimin. Betimi përmban këtë deklaratë: “Betohem se do t’i kushtoj forcën time mirëqenies së popullit gjerman, do të shtoj përfitimet e tij, do të shmang dëmin, do të respektoj dhe mbroj Ligjin Themelor Kushtetues dhe ligjet e federatës, do t’i përmbush me ndërgjegje detyrat e mia dhe do të veproj me drejtësi ndaj të gjithëve. Me ndihmën e Zotit”.
Fjalia “me ndihmën e Zotit” nuk është e detyrueshme.
Olaf Scholz nuk përfshiu atë në fjalimin e tij kur bëri betimin në vitin 2021.
Pas kësaj ceremonie pason emërimi i ministrave. Merz kthehet sërish në Pallatin Bellevue tek presidenti Steinmeier – këtë herë së bashku me kabinetin e tij, për të marrë certifikatat e emërimit nga Presidenti federal.