Në Korenë e Jugut, pandemia e koronavirusit nuk i ka ndalur zgjedhjet teksa qytetarët kanë dalë në votime për të zgjedhur 300 anëtarët e Asamblesë Kombëtare. Në një lidhje me skype në Fax News, mësuesi shqiptar që jeton atje Emanuel Rakipllari, ka treguar mbi mënyrën që është ndjekur, që qytetarët të dalin në votime.
Ai tha se zgjedhjet janë mbajtur në tre ditë me radhë, dhe kushtet kanë qenë shumë të rrepta, që qytetarët të mbajnë distancën dhe të respektojnë higjenën.
“Kishte një pjesëmarrje shumë të lartë të qytetarëve, rreth 63%, ishin katër veta që të prisnin në hyrje të qendrës së votimit. Një të maste temperaturën, tjetri, të jepte dorashkat dhe më pas dizinfektuesin. Në ndryshim nga ajo që ne prisnim, qytetarët dolën për të votuar, ndërsa kutitë ishin të hapura për më shumë se tre ditë. Nuk kishte radhë, pikërisht se ishin shtuar masat e sigurisë dhe kishte një numër qendrash më të lartë se zgjedhjet që janë mbajtur më herët”, tha Rakipllari.
Lidhur me menaxhimin e situatës në Korenë e Jugut, Rakipllari tha se në 8 ditët e fundit, ka një ulje të ndjeshme te rasteve të reja, shumica e të cilave tashmë janë të importuara nga jashtë. Përveç respektimit fiks të masave, një nga strategjitë e ndjekura, dhe që ka rezultuar e suksesshme në Kore, ka qenë ajo për kryerjen e sa më shumë testimeve.
“Këtu jeta vijon si normalisht, në 8 ditët e fundit ka pasur një ulje shumë të dukshme të rasteve të reja, ka variuar nga 25-30 raste të reja në ditë, të cilat janë kryesisht raste që vijnë nga jashtë të importuara. Qytetarët janë shumë vigjilentë, dhe ruajnë në mënyrë të përpiktë rregullat e igjenës. Një tjetër pikë që e ndihmoi Korenë për të kaluar këtë situatë është dhe numri shumë i madh i testeve që janë kryer mbi qytetarët”, tha për Fax News Rakipllari.
(E.K/Faxweb.al)