Ish-deputeti i Partisë Socialiste, dhe njëherazi drejtues i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima ndryshe nga herët e tjera mbrëmjen e djeshme në emisionin ‘Zonë e Lirë’ është shfaqur i transformuar në qëndrimin e tij për zgjedhjet e 30 qershorit, në lidhje me opozitën.
Ndryshe nga deklaratat e mëparëshme ku Kokëdhima shprehej në mënyrë kategorike për mospjesëmarrje në zgjedhjet e 30 qershorit pa opozitën, mbrëmjen e kësaj të premte mesa duket ai ka ndryshuar retorikën e tij duke paralajmëruar hyrjen në zgjedhjet lokale.
“Do ta presim PD deri në 10 maj, që bashkë me partitë e tjera t’i bashkohen. Parimet e këtij pakti janë parime që nën zë i pranojnë të gjithë. Nëse ata nuk bëhen pjesë, ne do ta konsiderojmë këtë fakt dhe do të shkojmë në zgjedhje. Kemi realitetin e ri politik, grupet e reja parlamentare që u krijuan që ato bien dakort me parimet tona. Ne jemi dakort me deklarimet e tyre për reformën zgjedhore dhe kushtetuese..”, u shpreh Koço Kokëdhima.
Ndërkohë, kujtojmë se kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është shprehur se opozita nuk do hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit me Edi Ramën kryeministër, pasi sipas tij ai nuk ofron garanci për një garë të ndershme, duke insistuar për një qeverisje teknike.