Katër parti politike kanë depozituar sot kërkesën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për t’u regjistruar për zgjedhjet e 11 majit.
Partitë që kanë depozituar kërkesat për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore janë Partia e Unitetit Kombëtar (PUK), me kryetar Idajet Beqirin, Nisma Thurje, me kryetar të partisë Endrit Shabanin, Partia Balli Kombëtar Demokrat (PBKD), me kryetar Artur Roshin dhe Partia Bashkimi Demokrat (PBD), me kryetar Ylber Valterin.
Një ditë më parë gjashtë parti politike dorëzuan kërkesën në KQZ për t’u regjistruar për zgjedhjet e 11 majit.
Sipas afateve të caktuara nga KQZ, më 25 shkurt përfundon afati për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare.
Gjithashtu, më 25 shkurt Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve publikon listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë.
Më 3 mars përfundon afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore.
Më 12 mars përfundon afati për dorëzimin e listave shumemërore të kandidatëve.
Më 17 mars përfundon afati për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve.
Më 20 mars përfundon afati për plotësimin e dokumentacionit të kandidimit.
Dhe më 25 mars përfundon afati për miratimin e listave shumemërore.