Gazetari Ilir Sinanaj, duke u bazuar në të dhënat e “Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmesë Zgjedhore”, ka zbuluar se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, nuk ishte më e ulët vetëm në krahasim me vitin e kaluar, por ishte më e ulët edhe në të gjithë historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, në periudhën e pluralizmit.
“Jo vetëm që zgjedhjet parlamentare e 25 qershorit 2017 u mbyllën me një pjesëmarrje shumë të ulët (46.76 %), por ato patën edhe pjesëmarrjen më të ulët në të gjithë historinë e zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë, në periudhën e pluralizmit. Këto të dhëna i bën të ditura “The International Institute for Democracy and Electoral Assistance (International IDEA)” apo “Instituti Ndërkombëtar për Demokraci dhe Ndihmesë Zgjedhore”, shkruan Sinanaj.
Rezultate këto që dëshmojnë se shqiptarët këtë radhë i kanë dhënë Partisë Socialiste dhe Edi Ramës, “mandatin e shpërfilljes”, siç e quan gazetari.
Duke bërë një krahasim me vendet e rajonit, rezulton se Kosova (41.30%) dhe Shqipëria (46.76 %) janë vendet që në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2017-ës, ku pjesëmarrja nuk e kaloi gjysmën e zgjedhësve.
Ndërsa të gjitha vendet e tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si Mali i Zi (73.41%), Maqedonia (66,79%), Serbi (56,07%) dhe Bosnje-Hercegovina (54,54%), në zgjedhjet e fundit parlamentare përkatëse patën një pjesëmarrje më shumë se gjysma e zgjedhësve. (D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2390″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]