Kanë arritur sonte votat e para nga diaspora në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfimruar për KosovaPress se gjatë mbrëmjes së sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë sjellur 36,500 pako me fletëvotime të cilat i takojnë procesit të votimit përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së jashtë Kosovës, nga Gjermania dhe Zvicra.
Elezi ka thënë se sipas procedurave, fillimisht këto pako me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara, ndërkaq numërimi i këtyre fletëvotimeve do të bëhet në një fazë të mëvonshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pas ditës së zgjedhjeve.
“Edhe procesi i vlerësimit të dërgesave postare do të mund të vëzhgohet nga vëzhgues të akredituar nga KQZ-ja, të cilët do të njoftohen me kohë”, ka thënë ai për KosovaPress.
Sipas tij, aktualisht, është duke u zhvilluar periudha e votimit përmes postës, e cila vlenë vetëm për shtetasit që gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës janë përcaktuar individualisht për mënyrën e votimit (1) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në një nga kutitë postare të hapura nga KQZ jashtë Kosovës, apo (2) duke dërguar fletëvotimin përmes postës në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë.
Elezi ka thënë se kjo periudhë votimi ka filluar më 9 janar dhe do të përfundojë më 8 shkurt 2025.