Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla përmes një statusi në rrjetet sociale pak minuta më parë ka komentuar zgjedhjet për Parlamentin Europian të përfunduara ditën e djeshme.
Sipas Ballës, rritja e pjesëmarrjes në votime të qytetarëve evropian dje është provë e qartë që besimi i tyre tek unioni vazhdon të ekzistojë, pavarësisht rritjes ndjeshme të euroskepticizmit.
Me fitoren e partive pro-europiane në zgjedhje, ndërsa lë të hapur rrugën e bashkëpunimit me kolegët e rinj të PE-së, Balla shprehet optimist se BE do të ruaj të njëjtën qasje ndaj politikave të zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kujtojmë se raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein humbi ditën e djeshme në zgjedhjet për eurodeputet çka tregon se ai nuk do të jetë më europarlamentar duke ja lënë vendin një tjetër raportuesi për Shqipërinë.
Knut Fleckenstein si figurë politike ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij në Parlamentin Evropian.
Postimi i plotë i Ballës:
Zgjedhjet Europiane të përfunduara dje në të 28-të vendet anëtare të BE ishin dëshmi e rëndësisë që projekti Europian vazhdon të gëzojë tek qytetarët europianë. Rritja e pjesëmarrjes, më e larta e këtyre dy dekadave të fundit, është provë e qartë e shpresës dhe besimit në projektin europian, pavarësisht rritjes në mënyrë të ndjeshme të euro-skepticizmit dhe populizmit.
Rezultatet e zgjedhjeve konfirmuan si fituese nevojën për një qasje tërësisht pro-aktive në mbrojtje të mjesidisit, forcimit të demokracisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, në respekt të plotë të të drejtave të njeriut.
Qytetarët e BE i dhanë partive pro-europiane një shumicë të cilësuar krahasuar me euro-skeptikët. Kjo na bën të ndihemi të bindur se Parlamenti i ri Europian do të ruajë të njëjtën mbështetje dhe qasje pozitive në pesë vjeçarin e ardhshëm vis-à-vis politikës së zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Si Bashkë-Kryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilzim-Asocijimit BE-Shqipëri mezi pres të vijojmë punën me kolegët e Parlamentit Europian të rizgjedhur apo të zgjedhur për herë të parë, duke e konsideruar sëbashku vitin 2019 vitin historik të fillimit të bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe BE-së.
Zgjedhjet e 30 Qershorit në Shqipëri, edhe pse vendore, do të jenë gjithashtu një hap i rëndësishëm në rrugën e forcimit dhe respektimit të demokracisë dhe funksionimit të shtetit ligjor.
Discussion about this post