Nënkryetari i KQZ-së Denar Biba në një intervistë për ‘Fax News’ ka folur për reformën zgjedhore dhe situatën e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që është vetëm me 5 anëtarë pasi opozita nuk ka dërguar dy kandidatët e saj.
Denar Biba tha se jemi në limitet kohore për ndryshime në kodin zgjedhorë, pasi nëse i referohemi standarteve më të mira zgjedhore të parashikuara nga BE, çdo shtet duhet të ketë minimalisht 1 vit para zgjedhjeve cdo lloj ndryshimi në kuadrin legjislativ.
Megjithatë ai deklaroi se në varësi të ndryshimeve që do të sugjerojë legjislatori do të jetë edhe përgjigjia e KQZ-së.
“Në rast se do i referohemi standarteve më të mira zgjedhore të parashikuara nga BE, çdo shtet duhet të ketë bërë minimalisht 1 vit para zgjedhjeve çdo lloj ndryshimi në kuadrin legjislativ, në këtë mënyrë në respekt të standarteve zgjedhore koha ka kaluar, në lidhje me realitetin shqiptar, kjo që duket përjashtim në kuptimin e standarteve, tashmë është bërë gati rregull, pasi ne çdo palë zgjedhje kemi ndryshime të kodit ndonjëherë fare afër zgjedhjeve. Në varësi të ndryshimeve do jetë edhe përgjigjia e KQZ-së, është një paketë e tërë por mund të mos ndodhë asnjë ndryshim ose ndryshime specifike, në varësi të kohës do të shohim nëse janë të implementueshme apo do gjendemi para pamundësisë”, tha ai.
Plani i KQZ-së për zgjedhjet lokale?
Vetëm para pak ditësh, gjë që shpjegon edhe pse jeni ju këtu, KQZ miratoi planin e veprimit e orientimit që janë një seri datash, një matricë me datat dhe veprimet që KQZ do t’i ndërmarrë që kur të gjendemi përpara zgjedhjeve të gjithë qytetarët shqiptarë të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre. Janë kryesisht elementë të menaxhimit administrative të zgjedhjeve por nga ana tjetër është shumë mirë që komisioni i miraton para zgjedhjeve që partitë politike të mos gjenden të papërgatitura kur këto afate të mos plotësohen.
A do presë KQZ vendimet e komisionit parlamentar para se të fillojnë përgatitjet?
Komisioni nuk duhet të presë veprimtarinë dhe çfarë do të prodhojë komisioni për reformën parlamentare, ne e kemi një kod dhe ne kemi detyrimin, nuk është çështje dëshire, që të fillojmë punën tonë në mënyrë që më 30 qeshor qytetarët shqiptarë të hedhin votën e tyre për kandidatët që dëshirojnë. Nëse do të ketë ndryshime nuk di ta them, komisioni do të bëjë detyrën e vet.
Nëse arrihet marrëveshja për teknologjinë a do të realizohet në zgjedhjet lokale?
Kur thuhet për prezantim i teknologjisë apo prezantim i teknologjisë në procesin zgjedhor nënkuptohen shumë gjëra, nga i gjithë procesi teknologjik tek disa elementë, sikur p.sh.vetëm numërimi, në varësi të asaj çfarë do të na sugjerojë legjislatori përmes komisionit dhe më pas në Parlament do të jetë dhe përgjigjia jonë nëse ka kohë apo jo. Nëse bëhet fjalë për disa element të shkëputur mund të jemi ende në limite, por sidoqoftë në limitet e kohës se të gjitha kërkojnë prokurime, realizimin e kritereve, praktikisht i çfarë mekanizmash do të sugjerohen se ka teknologji të ndryshme. Jemi në limitet e kohës.
Nëse arrihet një marrëveshje për depolitizimin e komisioneve a është e arritshme edhe kjo mbrapa (teknologjia)
Depolitizimi nënkupton që të gjithë anërtarët e zonave të administrimit zgjedhor dhe qendrave të votimit të vijnë nga shoqëria civile dhe të mos jenë politikë, ideja është që të jenë edhe të certifikuar, bëhet fjalë për një ushtri komisionerësh, 30 mijë. Natyrisht legjislatori mund të parashikojë edhe zvogëlimin e tyre, të mos jenë kaq sa janë por sidoqoftë është një përpjekje e jashtëzakonshme për t’i trajnuar dhe certifikuar në kohën e mbetur, kështu që jam i shqetësuar në lidhje me këtë çështje.
KQZ me 5 anëtarë?
Përgjegjësinë e kanë absolutisht partitë politike nuk mund t’ja kërkoni KQZ-së këtë. Formula se si strukturohet KQZ është i parashikuar nga kodi zgjedhor, me marrëveshjen e 17 majit 2017 ndodhi një thyerje në KQZ e paparashkuar nga ligji, për herë të parë KQZ e ka opozita, por sidoqoftë i mbetet politikës edhe përgjigjia për prishjen edhe për ta rregulluar, ne kemi vetëm dy vende bosh dhe kërkohën që të mbushen nga partia më e madhe e opozitës.
Dy anëtarët nga opozita?
Natyrisht që ndikon, anëtarët e KQZ vetëm propozohen nga pozita dhe opozita por nga momenti që ulemi në karrike, ne mundohemi të jemi avokatë të ligjit dhe jo partive, kjo nuk është gjithmonë e lehtë. KQZ do të ishte më legjitime sikur të ishin edhe ato të propozuar nga opozita.
(B.H/Faxweb)