Në vazhdën e përgatitjeje për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në Himarë më 4 gusht, KQZ dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvillojnë edhe sot një seancë publike, e shtunë, 27 korrik, ora 11:30 për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit për kandidatët për kryetar bashkie, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë të datës 4 gusht 2024.
Periudha e fushatës zgjedhore fillon në datën 27 korrik 2024 dhe përfundon në datën 2 gusht 2024.
Heshtja zgjedhore përfshin ditën përpara datës së zgjedhjeve, 3 gusht 2024, dhe datën e zgjedhjeve, 4 gusht 2024 deri në orën 19.00.
Ndërkohë KQZ ka vazhduar dje të informojë zgjedhësit e Himarës se cilat janë rregullat e votimit.
KQZ po ashtu ka dhënë informacion mbi rregullat e votimit:
Komisioni Rregullator në KQZ vendosi miratimin e përdorimit të kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në vendin e numërimit të votave, në zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë.
Në zgjedhjet e datës 4 gusht 2024, në Vendin e Numërimit të Votave do të vendosen kamera regjistruese dhe monitorë (ekrane), për regjistrimin dhe shfaqjen e fletëve të votimit gjatë procesit të numërimit të votave.
Kamerat me rezolucion të lartë instalohen mbi tavolinën e numërimit në mënyrë të tillë që bëjnë të mundur regjistrimin e vlerësimit të çdo flete votimi.
Regjistrimi filmik transmetohet në kohë reale në monitorë të vendosur përballë vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, ruhet në media elektronike dhe dorëzohet në KQZ së bashku me materialet e tjera zgjedhore.
Gjithashtu, do të përdoren sistemet e transmetimit video në kohë reale të monitorimit të numërimit të votave nga çdo vend i numërimit të votave, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Përdorimi i kamerave regjistruese e monitorëve (ekraneve) dhe sistemeve të transmetimit video në kohë reale, në ambientet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të bëhet në bazë të rregullave procedurale, të miratuara me akt normativ, të Komisionit Rregullator.
Discussion about this post