Ditën e sotme në Turqi janë zhvilluar zgjedhjet lokale ku miliona votues iu drejtuan kutive të votimit, një proces që është komentuar gjerësisht edhe si një provë për të matur pëlqimin apo mos-pëlqimin e njerëzve ndaj politikave të Recep Tayyip Erdogan i cili drejton Turqinë që prej viti 2002.
Nga rezultatet paraprake, konstatohet se Erdogan është drejt humbjes së këtij “referendumi”, pasi Partia Republikane Popullore e Turqisë mban një kryesim të lehtë në kryeqytet, Ankara. Nga ana tjetër në qytetin me popullsinë më të madhe në Turqi e për rrjedhojë edhe me numrin më të lartë të votuesve, atë të Stambollit, rezultatet janë tepër të ngushta ndërkohë që procesi i numërimit vijon dhe mësohet se opozita kryeson edhe në disa qytete të mëdha bregdetare.
Këto zgjedhje vijnë në një periudhë të vështirë ekonomike për vendin, pasi Turqia ka rënë në recesion pas shumë vitesh rritjeje ekonomike. Lira turke ka rënë me më shumë se një të tretën e vlerës.
Për këtë, presidenti Erdogan i quajti zgjedhjet si jetike për të përcaktuar “mbijetesën” e vendit dhe partisë së tij “për Drejtësi dhe Zhvillim” (AKP), e cila ka dominuar politikën vendase për më shumë se 16 vite.
Ndërkohë, këto janë të parat zgjedhje lokale në vend, që kur Erdogani mori fuqi më të zgjeruara ekzekutive në rolin e presidentit, përmes referendumit të vitit të kaluar.
Procesi i votimit është shoqëruar edhe më përplasje të dhunshme dhe incidente ku deri më tani dy persona janë qëlluar për vdekje në një qendër votimi e dhjetra të tjerë janë plagosur në të gjithë vendin.
(F.GJ/FAXWEB.AL)