Ka nisur këtë të mërkurë shpërndarja e materialeve zgjedhore në 3 KZAZ-të e qytetit Fier për 97 qendra votimi.
Materialet zgjedhore për 11 Majin janë shoqëruar nga mjetet e ushtrisë dhe forcat e policisë, ndërsa në to përfshihen fletët e votimit, kutitë e votimit, procesverbalet, dhomat e fshehtësisë dhe të gjitha materialet e tjera që garantojnë zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në KZAZ-në nr 60, sipas kryetarit Niko Neço, më parë ka mbërritur dhe sistemi monitorues, kamera dhe ekrane.
Ndërkohë nënkryetarja e kësaj KZAZ- je, Enkelejda Veliu, ka pohuar se në qytetin e Fierit në 97 qendrat e votimit pritet të votojnë 74 525 mijë votues. Gjithashtu vijon dhe trajnimi i komisionerëve të qendrave të votimit dhe numëruesve zonalë të administrimit zgjedhor, thotë sekretari Erjon Kaja.
Pas mbërritjes policia do të qëndrojë në gatishmëri të plotë për ruajtjen e tyre në oraret e përcaktuara nga autoritetet deri në momentin e shpërndarjes në qëndrat e votimit.