Votimi për rektor, dekan, shefa departamentesh dhe Senate Akademike në universitete ditën e premte u shoqërua me parregullsi në kryeqytet.
Përpos kësaj, shumica e zgjedhjeve u zhvilluan pa garë dhe ishin po të njëjtit emra të lakuar që kandiduan për t’u ngjitur më shumë në detyrë.
Edhe pse ethet munguan tek Universiteti i Tiranës, ku rektori Artan Hoxha kërkonte një mandat të dytë pa rival, njëjtë edhe në Universitetin Bujqësor, Fatbardh Sallaku, edhe për kandidatin e vetëm Agron Kasa, në Universitetin e Sporteve dhe Xheladin Dracini te Mjekësia, ashtu edhe te Politekniku me zv.rektorin Akli Fundo, që kërkuan dhe arritëm të merrnin pa kundërshtar pozicionin e rektorit, rregullorja përcakton një kusht për vlefshmërinë e votave.
Në Universitetin e Arteve, me 3 vota më shumë të pedagogëve fitoi Erald Bakalli përballë Artan Peqinit. Rezultat i ngushtë votash ishte dhe në Shkodër, ku u zgjodh Tonin Gjuraj, duke i hequr mundësinë e një mandati të dytë rektores aktuale Rajmonda Kcirës dhe kandidates tjetër Nertila Ljarja.
Në Korçë me gati 50% të votave fitoi Lorenc Ekonomi në universitetin “Fan Noli”, teksa u rendit në vend të dytë Robert Damo e pas tij Irena Nikaj. Në Durrës votat e pedagogëve kanë zgjedhur Shkëlqim Fortuzin si rektorin e “Aleksandër Moisiut” për katër vitet e ardhshme, në diferencë të ngushtë me profesorin Osman Metalla.
Në Vlorë, në garën me tre kandidatë, fitoi Aurela Saliaj. Në Elbasan, me rreth 90% të votave u zgjodh Elvira Fetahu, që deri tani mbante postin e zv.rektores. Edhe në Gjirokastër, fitorja është e sigurt për kandidatin e vetëm Jaho Cana.
Në Universitetin e Tiranës dhe te Politekniku, media u përball me mungesë transparence dhe bllokim të raportimeve. Procesi i votimit, i cili u hap në orën 8:00 të kësaj të premteje dhe u mbyll në orën 16:00, nuk pati pjesëmarrje të lartë, teksa u duk se jo të gjithë zgjedhësit ishin shfaqur me dëshirë për të votuar.