Fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë, nis zyrtarisht ditën e sotme.
Komisioni Qendror Zgjedhor në vend ka bërë me dije se gjithsej 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës do të zgjedhin mes 28 partive politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1.280 kandidatë që do të garojnë për 120 vendet në Kuvendin e Kosovës.
Partitë politike sot hapin zyrtarisht fushatat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit. Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00.
Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë hapjen zyrtare në sallën “1 Tetori” në Prishtinë me fillim nga ora 16:30. Lidhja Demokratike e Kosovës bën hapjen zyrtare nga Pallati i Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 17:00.
Koalicioni AAK, Nisma, Konservatorët, Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal sot bëjnë nderime në memorialin e familjes Jashari në Prekaz nga ora 10:45, ndërsa tubimin e mban nesër në sallën “1 Tetori” nga ora 13:30.
Po ashtu, Koalicioni për Familjen hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme nga ora 18:30 në Klan Arena. Ndërkohë nga 9 janari ka filluar edhe procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postes.