“Zgjidhja është një, është referendumi”, ky ishte mesazhi i fortë i dhënë sot nga ana e presidentit Meta, teksa komunikonte me gazetarët, dhe e shprehte qartë se nuk do të pranonte më zgjidhje të dhëna nga Komisioni i Venecias, apo nga ambasadorët.
Meta nuk e bëri të qartë tematikën, për të cilën pritet që t’iu drejtohet shqiptarëve me Referendum, por bëri të ditur anët që do të ishin përballë tyre, në njërën do të ishte ai me qytetarët dhe në tjetrën Rama me ‘’palaçot ndërkombëtarë”.
Por si mund të shkohet drejt një referendumi dhe çfarë parashikon Kushtetuta e Shqipërisë?
E drejta për të shkuar në Referendum është e sanksionuar në nenin 150 të Kushtetutës së Shqipërisë, ku të drejtën për ta kërkuar e kanë 50,000 qytetarë me të drejtë vote dhe/ose 1 të pestat e anëtarëve të Kuvendit.
Duke parë se për momentin presidenti Meta nuk mund të marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit, mesiguri ai do të zgjedhë që t’iu drejtohet qytetarëve, për të marrë 50 mijë firmat e tyre, në mënyrë që të iniciojë një referendum, ku fokus kryesor sipas tij do të jetë mbrojtja e Kushtetutës së vendit.
Ndërkohë rëndësinë e demokracisë direkte përmes referendumit e ka parashikuar dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila ka rekomanduar përdorimin e referendumit, si një mjet për të përforcuar legjitimitetin demokratik të vendimeve politike si dhe për të rritur përgjegjshmërinë e institucioneve përfaqësuese. Gjithashtu Komisioni i Venecias e ka cilësuar referendumin si balanca kundër partitokracisë.
PARASHIKIMI I KUSHTETUTËS
REFERENDUMI
Neni 150
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e
referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me
propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i
një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij
parashikohen me ligj.
Neni 151
1. Ligji i miratuar me referendum shpallet nga Presidenti i Republikës.
2. Çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin
e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë nuk mund të shtrohen në asnjë referendum. 3. Referendumi për të njëjtën çështje nuk mund të përsëritet përpara se të kenë kaluar tre vjet nga zhvillimi i tij.
Neni 152
1. Gjykata Kushtetuese shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum sipas nenit 150 paragrafët 1 e 2, nenit 151 paragrafët 2 e 3 edhe sipas nenit 177 paragrafët 4 e 5 brenda 60 ditëve.
2. Rëndësia e çështjeve të veçanta, të parashikuara në nenin 150 paragrafët 1 e 2 nuk është objekt gjykimi në Gjykatën Kushtetuese.
3. Data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej. Gjatë vitit referendumet zhvillohen vet
Deri më tani në vendin tonë janë ndërmarrë 3 referendume, ndërsa është dështuar në aspektin e Referendumeve për çështje lokale.
Referendumi kushtetues i vitit 1994
Në nëntor të vitit 1994 u zhvillua i pari referendum në historinë e shtetit shqiptar, referendumi për Kushtetutën. Mazhoranca e atëhershme, e përbërë nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj ishin pro, ndërsa opozita që kishte në përbërje Partinë Socialiste, Partinë Socialdemokrate dhe aleatët e saj ishin kundër. Në votim morën pjesë 84,30 për qind e zgjedhësve, nga të cilët 53 për qind votuan kundër draftit kushtetues dhe 41për qind pro.
Referendumi për monarkinë në vitin 1997
Më 29 qershor 1997 u zhvilluan zgjedhjet parlamentare. Partia Socialiste me aleatët u shpallën fitues, ndërsa demokratët pësuan humbjen më të thellë të historisë së tyre. Në të njëjtën ditë u zhvillua edhe referendumi për formën e qeverisjes së vendit. Rezultati final përcaktoi se 65 e votuesve ishin pro republikës, rezultat ky i kontestuar fort nga Leka Zogu.
Referendumi kushtetues i vitit 1998
Pas rotacionit politik të vitit 1997, mazhoranca e re, Partia Socialiste dhe aleatët e saj, nisën punën për Kushtetutën e parë demokratike të Shqipërisë. Në vjeshtën e vitit 1998 drafti ishte gati dhe vendi shkoi në referendum popullor. Opozita e djathtë deklaroi abstenimin dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje, kurse mazhoranca votoi pro draftit kushtetues. Për pasojë, Kushtetuta e Shqipërisë u miratua me referendum më 22 nëntor 1998 me votat pro të 93,5 për qind të zgjedhësve. Referendumi i fundit që është mbajtur në Shqipëri daton në vitin 1998 ku u vendos për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si edhe për formën e qeverisjes në vend ku u përcaktua se në Shqipëri do të kishte një sistem qeverisës të tipit Republikë Parlamentare.
(E.K/Faxweb.al)