Aleanca e Sahra Wagenknecht nuk e ka kaluar pragun zgjedhor prej 5%. Ajo kërkon rinumërimin e votave, pasi BSW i mungojnë vetëm pak vota për t’u futur në Bundesag.
Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) i kërkon Gjykatës Kushtetuese të rishikojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 23 shkurtit, sipas të cilave kjo parti nuk kaloi pragun zgjedhor dhe mbeti jashtë Bundestagut. Këtë e ka konfirmuar edhe një zëdhënës i partisë. Kjo parti e re politike nëGjermani fitoi 4,972 për qind të votave, ndërsa për hyrje në Bundestag nevojiten të paktën pesë për qind e votave.
Kryetarja e partisë Sahra Wagenknecht tha se për të arritur këtë prag duheshin vetëm “disa mijëra vota”, të cilat, sipas saj, “në mënyrë të pajustifikueshme u atribuoheshin partive të tjera ose u shpallën të pavlefshme”.
“Respekti për votuesit dikton që gabimet e mundshme të shqyrtohen dhe korrigjohen me kujdes,” tha Wagenknecht. Ajo shtoi se kjo mund të funksionojë vetëm nëse organizohet një “rinumërim i votave përpara shpalljes së rezultateve zyrtare” në të gjithë territorin e Gjermanisë.
“Shanset reale”
Sahra Wagenknecht shpjegoi se “relativisht shumë gabime” tashmë janë korrigjuar bazuar në të dhënat nga partia e saj. Ajo i referohet rinumërimit të votave në dymbëdhjetë qendra votimi në Berlin, kur u gjetën dy vota shtesë për Aleancën e Sahra Wagenknecht. “Nëse kjo do të zbatohej për të gjitha qendrat e votimit në vend, partia do të ishte në Bundestag,” tha ajo.
Zëdhënësi i BSW shton se, sipas përllogaritjeve të partisë, ka “shanse reale që të jemi mbi pragun e pesë për qind gjatë numërimit të ri të votave në të gjithë vendin”.
Rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të premten
Rezultatet zyrtare përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Gjermani pritet të shpallen nga Komisioni Federal i Zgjedhjeve të premten, më 14 mars. Pas kësaj mund të bëhet ankimim dhe nëse është e domosdoshme mund të ngrihet edhe padi.
Një nga përfaqësuesit ligjorë të partisë, Christoph Degenhart, megjithatë shpjegoi pse ishte e nevojshme të rishikohen menjëherë rezultatet: “Rezultati shumë i ngushtë në dëm të BSW bën të nevojshme kryerjen e një kontrolli gjithëpërfshirës të procedurës zgjedhore përpara shpalljes zyrtare të rezultateve përfundimtare”. Përndryshe, sipas tij, ekziston rreziku i dëmtimit ligjor, i dobësimit të legjitimitetit demokratik dhe rezultateve zgjedhore.
Hyrja e BSW në Bundestag do të sillte shumë ndryshime
Për një parti të themeluar në vitin 2024, hyrja në Bundestag ka një rëndësi të madhe politike. Por kjo mund të ndikojë shumë edhe në formimin e shumicës në parlament.
Nëse Aleanca e Sahra Wagenknecht do të ishte e suksesshme në përpjekjet e saj për të hyrë në Bundestag, atëherë do të dështonin edhe përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeveritar mes partive të Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve, sepse vetëm votat e tyre nuk do të mjaftonin për koalicion. Nëse BSW mbetet jashtë Bundestagut, votat e tyre mjaftojnë për koalicion.
Pas përfundimit të suksesshëm të bisedimeve paraprake, negociatat zyrtare për koalicionin mes CDU, CSU dhe SPD pritet të fillojnë ditën e enjte, me 13 mars./DW