Institucionet që nuk duan të angazhohen të vetëm në zhvillimin e tenderëve të tyre mund ta marrin këtë shërbim nga palë të treta publike ose private.
Në Fletoren Zyrtare u publikuan ndryshimet në ligjin për prokurimet publike që hyn në fuqi në datë 19 mars dhe që në një ndër pikat parashikojnë edhe këtë aspekt. Kështu pas nenit 21 shtohet një nen i ri 21/1 që parashikon se ofruesit e shërbimit të prokurimit do të luajnë rolin e autoritetit kontraktues në procedurat kur iu ngarkohet kjo detyrë nga pala e interesuar.
“Autoriteti ose enti kontraktor me qëllim realizimin e një veprimtarie ndihmëse për prokurimin publik, sipas parashikimeve të nenit 4, pika 43/1, të këtij ligji, mund të kontraktojë ofrues të shërbimit të prokurimit.
Ofruesi i shërbimit të prokurimit e ushtron veprimtarinë e tij bazuar në këtë ligj dhe në aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
Rregullat e zbatueshme për pagesën e veprimtarive ndihmëse dhe rastet kur kjo pagesë mund të bëhet nga autoriteti ose enti kontraktor apo operatori ekonomik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Në rastin kur ofruesi i shërbimit të prokurimit kontraktohet për përgatitjen dhe zhvillimin e procedurave të prokurimit në emër dhe për llogari të autoritetit ose entit kontraktor në fjalë, ai do të ushtrojë kompetencat si autoritet ose ent kontraktor, të parashikuara në kuadrin ligjor për objektin që ka marrë përsipër” thuhet në këtë nen.
Neni 21/2 parashikon specifikime lidhur me përzgjedhjen e ofruesit të shërbimit të prokurimit që në këtë rast mund të jetë një subjekt publik, një subjekt privat ndërkombëtar ose një subjekt privat që përmbush kriteret e kërkuara ku ndër të tjera eksperienca në fushën e prokurimeve.
Një tjetër element që ndryshon në ligjin e prokurimeve është përllogaritja e fondit limit për kontratat ku përcaktohet se vlera limit e kontratës kryhet në Sistemin e Prokurimit Elektronik nga të dhëna të marra me ndërveprim me sisteme të tjera nëpërmjet Platformës Qeveritare të Ndërveprimit.
Po kështu në rastet kur për element të veçantë apo për tërësinë e zërave të kontratës ekzistojnë çmime të publikuara nga INSTAT merren parasysh 6 muajt e fundit. Kur nuk ekzistojnë këto të dhëna në bazë merret sistemi i doganave dhe fiskalizimi.
Ndryshime të tjera përfshijnë kriteret për s’kualifikim, sistemin dinamik dhe ankandin elektronik, të drejtën e ankimimit, trajnimin e ankimimit nga Komisioni i Prokurimit Publik apo detyrimet e autoritetit gjatë zbatimit të kontratës. /Monitor