Fusha e mbetjeve tek inceneratori i Elbasanit është përfshirë nga flakët që prej orës 05:00 të mëngjesit të sotëm. Raportohet se flakët janë përhapur në një pjesë të madhe të territorit në fjalë.
Momentalisht nuk dihen shkaqet e rënies së flakëve, por dyshimet janë për zjarrvënie edhe pse siguria në të gjithë zonën ku ndodhet inceneratori është e shkallës së lartë.
Gjithashtu bëhet me dije se shtëllunga gjigande e tymit dhe era e keqe e shkaktuar nga djegia e mbeturinave është përhapur në të gjithë lagjen periferike të qytetit të Elbasanit duke u kthyer në një rrezik serioz për shëndetin e banorëve.
Po ashtu mëshohet se po punohet nga ana e zjarrfikësve për shuarjen e flakëve. Ndërkohë, gjatë dy viteve të fundit, është raportuar se landfilli i Elbasanit është përfshirë nga flakët disa herë.