Mbi 50,000 qytetarë mbetën pa energji elektrike në rajonin e Moskës pas një zjarri që shpërtheu në një nënstacion elektrik në rrethin Sergyev-Posad.
Zjarri, sipas autoriteteve lokale, u shkaktua nga mbeturinat e një droni të rrëzuar, një incident që ka shkaktuar ndërprerje të gjera të furnizimit me energji.
Në një njoftim për mediat, administrata e rrethit theksoi se situata ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë tek mbi 50,000 njerëz, të cilët kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të dëmeve në nënstacionin elektrik. “Të dhënat paraprake tregojnë se mbi 50,000 njerëz janë prekur nga ndërprerja e furnizimit me energji,” thuhej në njoftimin e administratës në kanalin e saj Telegram.
Sipas kryetares së distriktit, Oksana Yerokhanova, pesë lagje të ndryshme janë prekur nga ky incident dhe nuk kanë ende energji elektrike. Zjarri shpërtheu në nënstacionin elektrik në zonën Zvezdochka, dhe për arsye sigurie, disa nënstacione të tjera transformatorësh u detyruan të shkëputen për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Megjithatë, administrata bëri të ditur se furnizimi me energji elektrike ishte rikthyer në disa zona, përfshirë vendbanimin Rabochy. Autoritetet janë duke punuar për të rikthyer plotësisht furnizimin dhe për të hetuar shkakun e rënies së dronit që shpërtheu dhe shkaktoi zjarri.