Ka shkuar në 31 numri i viktimave nga zjarret masivë që kanë përfshirë Kaliforninë, duke tejkaluar kështu rastin me më shumë vdekje të regjistruara në historinë e këtij shteti, teksa ekipet e kërkimit gjetën edhe 6 trupa të tjerë në përpjekjet e tyre të ethshme mes rrënojave.
I mbiquajturi “Camp Fire”, i rënë në pyjet e zonës malore të Sierra Nevadës, në veri të Sacramentos, është më i madhi dhe më shkatërrimtari ndër dhjetëra “ferret” e këtyre ditëve, që kanë detyruar deri më sot evakuimin e mbi 250 mijë njerëzve, kanë shkrumbuar mbi 6.400 shtëpi në qytetin Paradise, aq sa thuhet madje ta ketë zhdukur nga harta.
“Sot janë rikuperuar edhe 6 trupa të tjerë të pajetë, duke e çuar numrin total në 29 viktima”, tha sherifi i zonës, Kory Honea në një konferencë për shtyp të së dielës vonë, në fundin e ditës së katërt të përpjekjeve të pazakonta për të përmbajtur flakët. Ai shtoi se të gjithë të pajetët e fundit janë gjetur në qytezën Paradise.
Në terren, makina të shumta shihen të shkrumbuara, të cilave iu ka mbetur vetëm skeleti, ndërsa shtëpitë janë kthyer në grumbuj mbeturinash që digjen, me ndonjë mur tullash apo oxhak të mbetur rastësisht në këmbë.
Megjithatë, dhjetëra njerëz rezultojnë të zhdukur, gjë që mund ta përkeqësojë ende bilancin e viktimave nga zjarret në Kaliforni. Disa zona të prekura nga zjarret thuhet të ketë mbetur edhe pa shërbim telefonik të lëvizshëm, për shkak të dëmtimit të infrastrukturës.