Kryebashkiaku Erjon Veliaj ka deklaruar se shpreson që në rastet e fundit të zjarrvënies në disa çerdhe të qytetit të mos ketë dorë opozita, kreu i së cilës sipas tij nuk ndërtoi as dhe 1 çerdhe të vetme në 4 vite si kryebashkiak i Tiranës.
“Pra, unë nuk e di kush janë arsyet e rrugaçëve që vënë zjarr në punët publike të Tiranës, megjithatë mos e dhëntë Zoti kurrë që të mendoj se këtu ka dorë opozita, se në fund të fundit, janë me pushime në Hollandë, se kur s’bënë 4 vjet shkolla, kopshte, çerdhe, nuk do i prishin pushimet për të bërë këto punë”, është shprehur ai.
“Ata ta që nuk ndërtuan asnjë çerdhe, asnjë kopsht, asnjë shkollë të re, 4 vjet që kishin Tiranën nuk ngulën një gozhdë, sigurisht që do përdorin çdo mjet, por mund të bëhen aleatë me ata që duan një kryetar tjetër, mund të bëhen aleatë me ata që kanë bindje të tjera, por nuk mund të bëhen aleatë me ata që i vënë zjarrin Tiranës, se kjo i diskrediton dhe është për turp.
Dua të siguroj të gjithë ata që kanë fëmijët e tyre në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Tiranës; mbaj mend se tre vite më parë çerdhet e kopshtet ishin si biruca, madje ishin më poshtë, ishin më të rrënuara se shumica e burgjeve të Shqipërisë, dhe thashë: ku po i çojmë fëmijët!? Sot, falë shumë prej donatorëve, çerdhet e kopshtet e Tiranës janë model.
Veliaj shtoi se për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për të dëmtuar çerdhet, kopshtet apo shkollat, Bashkia e Tiranës ka marrë disa masa shtesë. “Kemi shtuar rojet e Policisë Bashkiake, si dhe rojet e kontraktuara në çerdhe, kopshte e shkolla këtë vit. Do të shtojmë po ashtu pajisjet me kamera, sistemet e alarmit. I kemi trajnuar anëtarët e stafit në të gjitha çerdhet, kopshtet e shkollat për çdo situatë me zjarret, ndaj i bëj thirrje opozitës, bëhu me njerëzit e punës, bëhu me njerëzit e mirë, bëhu me qytetarët, mos hap panik, mos u bëj me rrugaçët, me vandalët, mos inkurajo zjarrvënien, inkurajo zjarrfikësit, ata që shërbejnë, ata që punojnë, ata që e duan qytetin”.
(E.V/Faxweb.al)