Pothuajse 17 vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditës së sotme në mbarë vendin. Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi për“News24” është shprehur se gjatë ditës së sotme është bërë ndërhyrja në kohë me helikopter, por edhe forcat e tjera të përfshira në aksion, duke bërë të mundur neutralizimin e zjarreve.
“Aktualisht zjarri në malin e Dajtit është nën kontroll me mbërritjen e helikopterit. U organizua një operacion i shpejtë për neutralimin e zjarrit. Operacione të ngjashme janë zhvilluar sot në zonën e Llogarasë në tre vatra zjarri, dhe një në Velipojë, që rrezikonte disa banesa. Ndërhyrja me helikopterë bëri të mundur fikjen e zjarreve. Një tjetër operacion po zhvillohet në Pogradec”, u shpreh Prençi.
Po ashtu ai shtoi se pjesa më e madhe e përgjegjësve për zjarret që janë regjistruar gjatë këtyre muajve në mbarë vendin, janë vënë përpara drejtësisë. (S.SH/Shuplaka)
Discussion about this post