Pavarësisht se kanë kaluar ditë nga ngjarja e rëndë ku zjarri në ashensorë i mori jetën një nëne të re në pritje të fëmijës së saj të dytë 6 muajshe shtatzënë ende nuk ka një autor përgjegjës. Në ccdo vend të botës pas ccdo ngjarje gjenden përgjegjësit, po ky nuk është një rast shqiptar.
Zjarri në ashensor me pasojë vdekjen e 30-vjeçares Drilona Duriçi po hetohet nga Prokuroria e Tiranës, pas kryerjes së veprimeve paraprake nga ana e policisë.
Mësohet se ekspertizat janë ende në vazhdim, ndërsa nga analiza që është bërë te dëshmitë dhe dokumentacioni i mbledhur, nuk ka asnjë person që mund të bëhet përgjegjës për ngjarjen tragjike, shkruan një e përditshme.
“Ka rezultuar se ndërtuesi ka shtatë vjet që e ka dorëzuar objektin te banorët dhe për këtë arsye, nuk mund të mbajë asnjë përgjegjësi për faktin se ashensori ka funksionuar deri javët e fundit para ditës kur ndodhi ngjarja”, thanë hetuesit.
Sipas tyre, banorët për një kohë të gjatë kanë pasur një marrëveshje verbale me një teknik ashensorësh që ka kryer mirëmbajtjen e pajisjes, por që prej 3-4 muajsh i kishin ndërprerë marrëdhëniet me të pasi, nuk e kishin paguar.
Për këtë arsye, sipas Prokurorisë, nuk del as me dokumente dhe as me dëshmi që në kohën kur ka ndodhur ngjarja të ketë pasur ndonjë person përgjegjës për funksionimin dhe sigurinë e ashensorit.
Nga ana tjetër, prokuroria bën me dije se ende nuk ka përfunduar ekspertiza në lidhje me shkakun e rënies së zjarrit dhe mekanizmin që ka sjellë bllokimin e viktimës brenda në ashensor.
Ajo çka konfirmojnë hetuesit është se në vendin e ngjarjes ekspertët kanë gjetur prova të shumta, që tregojnë se ashensori nuk ishte mirëmbajtur e pastruar siç duhej prej kohësh. Vetëm në këtë pjesë, sipas Prokurorisë, po shikohet mundësia e mbajtjes së përgjegjësisë ligjore nga ana e personave të dyshuar.
Problemi kryesor, sipas akuzës, është se pallati nuk ka pasur administrator dhe për këtë arsye nuk është mbajtur asnjë dokument në lidhje me mirëmbajtjen dhe riparimin e ashensorit.
Sipas raportit të ISHTI, në datën 20 janar 2017, në pallatin “Eni” shpk, shkalla 1 nga veriu në rrugën “Muhamet Deliu”, Qesarakë, rreth orës 09:48 ka marrë zjarr depozita e vajit të ashensorit hidraulik, e cila ndodhej brenda kafazit të ashensorit.
Zjarri ka dëmtuar kabinën e ashensorit, pastaj ka shkaktuar vdekjen e një banoreje të këtij pallati. Kabina ishte pozicionuar në katin e parë dhe kishte në brendësi material konstruktiv të djegshëm”, thuhet në raport.
Sipas tij, nga kontrolli i rrjetit elektrik në dy “box”-et kolektive rezultoi se nuk kishte asnjë rënie automati monofazor që u përkiste familjarëve. “U konstatua se ishte në pozicionin ulur, automati trefazor i ambienteve të përbashkëta, nga i cili furnizohej me energji ashensori hidraulik i pallatit”, theksohet më tej nga specialistët në raport. Sipas tij, shkak i rënies së zjarrit në ashensor ka qenë “kryesisht instalimi i depozitës së vajit brenda kafazit të ashensorit hidraulik”.
Por, sipas ekspertëve, “kjo gjendje nuk do të influencohej nëse nuk do të shoqërohej nga moseliminimi i rrjedhjeve të vajit, mospastrimi i vajit të rrjedhur dhe i papastërtive në fundin e kafazit të ashensorit. (E.K/SHUPLAKA)