Mbrëmjen e djeshme u përfshi nga flakët një fabrikë bojrash në autostradën Tiranë-Durrës, në zonën e Maminasit.
Flakët u përhapën me të madhe dhe policia bllokoi dy krahët e autostradës. Në vendngjarje mbërriti edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ministri ishte i shoqëruar edhe nga drejtori i përgjithshëm i policisë Muhamet Rrumbullaku.
Balla në një postim në rrjetet sociale u shpreh se janë angazhuar 15 makina zjarrfikëse, 65 forca zjarrfikëse nga Durrësi, Tirana, Shijaku, Kamza, Porti i Durrësit dhe Forcat e Armatosurat.
Postimi i Ballës:
Zjarret në vendNë Bashkinë e Shijakut, në Maminas është përfshirë nga zjarri një fabrikë e prodhimit të bojrave. 15 makina zjarrëfikëse 65 forca zjarrëfikëse të Durrësit, Tiranës, Shijakut, Kamzës, Portit Durrës, Forcave të Armatosura etj., si dhe 200 forca të policisë ushtrisë, emergjencave civile dhe shërbime të tjera po punojnë për fikjen e këtij zjarri masiv.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Në autostradën Durrës-Tiranë, në Maminas, është përfshirë nga flakët një fabrikë bojrash.
Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve.
Shërbime të shumta policie të DVP Durrës dhe grupe të FNSH Tiranë kanë evakuuar në një objekt, qytetarët që ndodheshin në lokalin afër fabrikës.
Në momentin që ka rënë zjarr, brenda në fabrikë nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës. Nga përhapja e flakëve nuk ka asnjë person të dëmtuar.
Për çështje sigurie do të bllokohet përkohësisht autostrada Durrës-Tiranë dhe lëvizja do të devijohet në rrugët dytësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.