Ismet Abdurrahmani 70-vjeç mbeti i vdekur në apartamentin e tij në katin e 5-të të një pallati që u shkrumbua nga flakët në Shkodër, ndërsa kanë dalë detaje tronditëse rreth jetës së tij.
Mësohet se i moshuari prej disa kohësh jetonte i vetëm pasi ishte ndarë nga bashkëshortja me të cilën kishte pasur konflikte të herëpas’hershme, ndërkohë që kishte tentuar disa herë ti vendoste flakën banesës.
Kjo hedh dyshimet se ngjarja që tronditi Shkodrën mbrëmjen e sotme mund të ketë qenë e qëllimshme, ndërkohë që hetimet që do të kryhen pritet të hedhin më tepër dritë.
Paraprakisht u raportua se zjarri ishte shkaktuar nga rrjedhja e një bombule gazi, ndërsa tre mjete të zjarrfikëses me disa efektivë mbërritën në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur izolimin e flakëve dhe nxjerrjen e trupit të pajetë.
Drejtori i Zjarrfikësve në Shkodër Agron Dibra ka deklaruar se zjarri në apartament ishte i përmasave të mëdha duke shtuar se ishte e pamundur të hyje menjëherë në banesë.
“Zjarri në apartament ishte i përmasave të mëdha. Ishte e pamundur që të hyje menjëherë në banesë”, tha ai.
(F.GJ/FAXWEB.AL)