Pas vrasjes së gjyqtares Fildes Hafizi, një grua tjetër mori zemër të tregonte vuajtjet që ka kaluar për 30 vite me radhë, nën dhunën e ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj.
Merita Brama, 40 vjeçarja nga Fushë-Kruja e cila ka denoncuar dhunën përmes një letre, sot në emisionin “Rudina” në TV Klan ka treguar tmerrin që ka përjetuar. Ndërsa rrëfente mes lotësh, zonja ka pranuar se edhe pse ekzistojnë dy urdhra mbrojtjeje, ata nuk janë zbatuar as nga ish-bashkëshorti dhe as nga policia.
“Kam 30 vjet e martuar me ish-bashkëshortin. Kam kaluar një jetë mes dhunës, kush më njeh e di këtë pjesë të vuajtjeve të mia.
Ky person ka qenë i dhunshëm gjithmonë. Mirëpo lindën edhe fëmijët njëri-pas tjetrit dhe kemi ndenjuur me shpresën se do rregullohen gjërat, do rriten edhe fëmijët, duke parë edhe çifte të tjera që janë rregulluar me ndërhyrje me gjëra.
Në Gjykatën e Krujës janë dy urdhra mbrojtjeje që janë lëshuar për mua, që të mos afrohet shajë, të mos kërcënojë, të mos ofendojë. Nuk janë marrë fare parasysh këto dy urdhra mbrojtjeje, as nga policia as nga ish-bashkëshorti im.
Divorci ka ndodhur më 18 maj të këtij viti. Unë kam shkuar disa herë në polici, u kam thënë hajdeni shikojeni vetë se ai rri pranë shtëpisë. Do më vrasë mua dhe fëmijët se ashtu është shprehur. Do ju vras të treve. Ata më thonin ik se stë bën gjë ai barbon. Ai është barbon dhe nuk është kërcënim për ju.”, thotë zonja Brama.
Më tej historia e saj u bë edhe më prekëse, pasi Brama tregoi një rast kur ish-bashkëshorti e ka goditur me levë.
“Ishte data 15 korrik 2017. Nisem si gjithmonë për punë në orën 6 të mëngjesit. Rrugës më del…nuk I them dot zotëri, më vjen keq, ish-bashkëshorti im me levë në dorë… Kam kalu tmerrin më të madh të jetës sime, jam godit me levë mbi 40 herë. Jam godit në trup, në kokë me levë dhe të gjitha shenjat e dhunës janë akoma në trupin tim. Shiko si janë shenjat në trup, ku godiste. Ja duart që kam bo luft me këtë duar. Edhe të kokës po deshe. Se si kam shpëtuar vetëm zoti i madh e di.”, tregon mes lotësh zonja.
Duke vazhduar më tej tregimin, zonja shprehet mirënjohësve ndaj mjekëve që janë kujdesur për të pasi policia e ka dërguar në spital. Ndërsa më pas shprehet se e ka bërë ngjarjen publike pasi ka frikë për jetën e fëmijëve të saj.
“Unë vazhdoj të jem edhe më e terrorizuar se më përpara, ai është në kërkim. Nuk dihet se ku është. Kur zgjodhemi në mengjes kemi frikë të hapim derën kryesore se mos na vënë tritol. Kam frikë të dal te porta se mos na vrasin. Unë rri gjithë ditën e mbyllur në shtëpi, me grila të mbyllura. Unë prandaj e kam bërë publike se nuk kam çfarë humb më, vetëm jetën e fëmijëve. Vetëm ajo më ka mbetur pa humbur. I bëj thirrje shtetit, mediave, gjykatës, prokurorisë, merrsni masa se shumë shpejt do të shihni edhe emrin tim në televizor dhe të fëmijëve të mi. Do dalë edhe një Fildes tjetër.”, thotë zonja e dëshpëruar.(D.D/Shuplaka)
https://www.youtube.com/watch?v=vgv_LQ-ckkA&feature=player_embedded