Kreu i LSDM Zoran Zaev, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë për çështjen e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe se ligjet ekzistojnë, duhet vetëm zbatimi i tyre.
REL: Zoti Zaev, jeni në pritje të marrjes së mandatit për të formuar Qeverinë e re të Maqedonisë. Cilët do të jenë hapat tuaj të parë si kryeministër dhe detyrimet apo prioritetet që do t`i vendosni?
Zaev: Interesi i qytetarëve, kuptohet. Ne paralajmëruam masa shumë të rëndësishme, disa prej të cilave, madje, janë të lidhura me afat. Shumë prindër, shumë mësimdhënës, shumë fëmijë, presin që ta ndërpresim testimin ekstern, për shkak se testimi është në fund të muajit maj, apo në fillim të qershorit, që ta kenë të qartë, për shkak se besoj që ndikon edhe nga aspekti psikologjik, edhe në tërë procesin arsimor në mbyllje të vitit shkollor.
Këtu është edhe ndërprerja e taksës radiodifuzive, kthimi i tarifës së lirë; nxjerrja e menjëhershme e Ligjit për media është shumë me rëndësi; masa të caktuara sociale, të cilat i premtuam e të cilat janë të mundshme pa kurrfarë ndryshimi në buxhet që të realizohen si zgjidhje ligjore; shumë zgjidhje të këtilla janë të përgatitura, ndërsa unë besoj se në fillim të qershorit, në fund të majit, do të merren vendimet e para.
Gjithsesi, një nga zgjidhjet e para ligjore, që duhet sjellë në Parlament është ndryshimi i Kodit Zgjedhor, për shkak të prolongimit të zgjedhjeve lokale, besoj për në vjeshtë, por këtë e planifikojmë në pajtim me të gjitha partitë parlamentare.
REL: Çfarë premtoni për përdorimin e gjuhëve?
Zaev: Ligji është i qartë në Maqedoni dhe Kushtetuta jonë është evropiane dhe liberale – i garanton të gjitha të drejtat e qytetarëve, vetëm nevojitet zbatimi i tyre. As do të ndërrohet Kushtetuta, as ka nevojë për ndonjë zgjidhje ligjore. Kushtetuta e tanishme dhe ligjet e tanishme japin mundësi për realizim praktik të nevojave të qytetarëve rreth këtij aspekti. Ata vetëm këtë kërkojnë. Unë i dhashë shembujt – fëmija me talent në muzikë, thjesht, nuk mund të regjistrohet në shkollën fillore të muzikës për shkak se nuk ka profesor të teorisë së solfezhit.
Edhe Kushtetuta, edhe ligji këtë ta garanton. Pse nuk zbatohet? Gjyshja nuk mund të marrë kujdes nga person i tretë për shkak se ndokush nuk ka pasur qejf t’i përgjigjet në gjuhën shqipe në komunën ku ekziston dygjuhësia. Sot kemi shembuj eklatantë – Shuto Orizari me ligj ka të drejtë të flasë në gjuhën rome për shkak se ka mbi 20 për qind romë. Përse nuk zbatohet ligji? Krahas maqedonishtes, flasin dhe në gjuhën shqipe.
REL: Çfarë saktësisht parashihni për përdorimin e gjuhëve?
Zaev: Asgjë jashtë Kushtetutës dhe ligjit! Vetëm realizim praktik. Këta kuazi-patriotë nga të dy anët, kuazi-nacionalistë, ashtu i quaj unë, thjesht fshehurazi, nën tavolinë, bëjnë pazarllëqe për ligjet, që në fund asgjë të mos realizohet nga ato ligje. Për këtë shkak, qytetarë tanë të caktuar, nga bashkësitë etnike më të vogla, ndihen se ky shtet për disa është njerkë e për disa nënë. Jo! Shteti duhet të jetë nënë për të gjithë, në mënyrë të barabartë, i barabartë për të gjithë, që të mund ta duam, ta ruajmë, të luftojmë; kjo e përforcon karakterin unitar të Maqedonisë.
(M.D/Shuplaka)