“Midis Turqisë dhe Shqipërisë ka një afrimitet dhe lidhje tepër të fortë por që ne nuk e konsiderojmë si të mjaftueshme. Marrëdhëniet tona duhet të jenë edhe më intensive, duhet të zhvillohet më tej diplomacia kulturore”, deklaron Zv. Ministri Turk i Kulturës dhe turizmit Huseyin Yayman për emisionin “Diplomaticus”.
“Njerëz si nga Turqia apo Shqipëria duhet të vizitojnë vendet reciproke duke rritur në këtë mënyrë nivelin e bashkëpunimit. Kultura është një fushë e cila mbetet jashtë politikës, ajo është gjuha e përbashkët e paqes. Çdo turist është një ambasador i vendit të tij, i cili ndikon pozitivisht në imazhin e atij vendi. Poeti i famshëm Mevlana ka një thënie shumë të bukur ‘Vëllezër nuk janë ata që flasin të njëjtën gjuhë por ata që ndajnë të njëjtat ndjenja’. Kështu që me popullin dhe vëllezërit tanë shqiptarë jo vetëm kemi fjalët e përbashkëta, por ndajmë njëkohësisht të njëjtat ndjenja, jemi pjesë e të njëjtit rajon gjeografik, kemi të njëjtën klimë, si dhe kemi jetuar së bashku në të njëjtin qytetërim”, tha zv. Ministri Turk Yayman.
Zv. Ministri Yayman ndalet edhe tek çështjet e turizmit.
“Krahasuar me vitin 2015 gjatë vitit 2016 numri i vizitorëve është rritur. Turqia zë vendin e gjashtë në botë për tërheqjen e turistëve të huaj. Turqia ka shumë hotele të famshme të cilat ofrojnë shërbime tepër cilësore me çmime të arsyeshme. Turqia është një nga qendrat kryesore botërore të turizmit. Ka një histori 10.000 vjeçare. Anadolli ka qenë epiqendër e një sërë qytetërimesh duke filluar që nga Romakët, Fenikasit, Hititët, Lidianët, Selçukët, Osmanët etj”, shprehet Zv. Ministri i Kulturës dhe turizmit i Republikës. (M.D/ Shuplaka)