Zv.presidenti amerikan në ikje, Joe Biden, shprehet se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për “rendin liberal ndërkombëtar”.
Gjatë një fjalimi në Forumin Botëror të Ekonomisë në Davos të Zvicrës, përveç zgjedhjeve amerikane, Biden deklaron se nga Rusia priten të tjera ndërhyrje në zgjedhjet perëndimore.
“Rusia dëshiron t’i rikthehet një bote ku të fuqishmit imponojnë dëshirat e tyre përmes fuqisë ushtarake, korrupsionit dhe kriminalitetit, derisa kombet e dobëta duhet të rreshtohen para saj”, shton Biden.
Sipas CIA-s, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar ndërhyrjen në fushatën zgjedhore presidenciale të SHBA-ve më 8 nëntor.
Në një raport të publikuar nga Agjencia e Inteligjencës Amerikane, thuhet se Putin “ka patur preferencë të qartë” për presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump.
Sipas Biden, ngjarje të tilla më parë kanë ndodhur v edhe në Europë.
“Por, nuk është vetëm SHBA-ja që është bërë cak. Evropa gjithashtu ka përjetuar sulme të ngjajshme në të kaluarën. Derisa shumë shtete në Evropë kanë për të mbajtur zgjedhjet gjatë këtij viti, ne duhet të presim përpjekje të tjera nga Rusia për ndërhyrje në proceset demokratike. Do të ndodh sërish, ju premtoj për këtë”, shprehet Biden.
Pavarësisht akuzave të SHBA-së, Kremlini i ka mohuar kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar ato si false. Sakaq, edhe presidenti i zgjedhur Donald Trump, i cili merr zyrtarisht detyrën këtë të premte shprehet pro versionit rus. (D.D/Shuplaka)