Konfirmohet risitë në listën e trajnerit Kristian Panuçi për ndeshjet e radhës të Kombëtares shqiptare në eliminatoret e Botërorit 2018.
Tekniku i ri i kuqezinjve ka afruar 3 emrat e rinj në përfaqësuese, por ka lënë jashtë njëkohësisht disa emra të njohur, për shkak të formës jo të përshtatshme që po kalojnë.
Ivan Balliu, Hysen Memolla dhe Valon Ahmedi janë tre emrat e rinj në listë, pasi tekniku ka ndjekur ecurinë tyre në kohët e fundit dhe është gati t’u japë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre edhe me fanellën kuqezi.
Por njëkohësisht, ai ka vendosur të mos grumbullojë për këtë ndeshje Taulant Xhakën, Ergys Kaçen, Shkëlzen Gashin dhe Naser Alijin, me këtë të fundit që është i vetmi “i justifikuar” për shkak të një dëmtimi të pësuar që e ka lënë jashtë fushave të lojës. Mungesë e paparashikuar është ajo e Ermir Lenjanit, i cili së fundmi kishte filluar të aktivizohej rregullisht me Sionin në kampionatin zviceran të futbollit.
Jashtë mbetet edhe Bekim Balaj, i cili ka qenë i dëmtuar së fundmi dhe nuk është në formën më të mirë.