Pas një periudhe të gjatë prej se në Shqipëri Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përfaqësohen me ambasador që pas ikjes së Donald Lu, me sa duket do të jetë çështje ditësh ardhja e Yuri Kim në Tiranë si pasuese e tij në këtë detyrë.
Kim, ka marrë edhe aprovimin e fundit për të qenë ambasadore e SHBA në Shqipëri nga Senati amerikan, pasi në takimin e fundit për këtë vit, ka konfirmuar diplomaten Kim si ambasadore të Shteteve të Bashkuara në Republikën e Shqipërisë.
Ajo u emërua nga presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti.
Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi rreth mesit të Nëntorit emërimin e diplomates Yuri Kim për postin e ambasadores në Shqipëri.
Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhej të miratohej Senati.
Komisioni votoi për 15 emërime, përfshirë për të emëruarin për postin e Ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan.
Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.
Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.
Kim tha gjithashtu se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.
Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, dhe gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.
KARRIERA DIPLOMATIKE
Yuri Kim është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore.
Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.
Zonja Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.
Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor
(F.GJ/FAXWEB.AL)