Një zyrtar i NATO-s i tha BIRN se qëllimi i investimit ishte përmirësimi i infrastrukturës së bazës ajërore të Kuçovës dhe modernzimi i saj, raporton Birn.
“NATO planifikon të investojë 51 milionë euro për të modernizuar pajisjet në bazën ajërore shqiptare të Kuçovës,” tha NATO në një përgjigje me shkrim.
“Paratë do të shpenzohen për përmirësimin e infrastrukturës së bazës, përfshirë depozitat e karburantit,” shtoi NATO në përgjigjen e saj.
Orgnizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut nënvizoi se paratë për modernizimin e bazës ajërore shqiptare do të vijnë nga programi për investime në siguri i aleancës (NSIP), i cili mbulon projekte të mëdha infrastrukturore që kanë për qëllim rritjen e sigurisë në vende aleate.
Lajmi për investimin e NATO-s në Kuçovë u dha fillimisht nga kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili e cilësoi Kuçovën si bazën e parë ajërore të NATO-s në Ballkanin Perendimor.
“Me fondet e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, NATO do të investojë mbi 50 milion euro, vetëm për fazën e parë të projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kucovës,” tha Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.
“Përmes këtij projekti, i cili pritet të nisë brenda këtij viti, Kuçova do të shërbejë si bazë mbështetëse për NATO-n për furnizim ajror; mbështetje logjistike; mbështetje për policimin ajror; si dhe trainime dhe stërvitje të Aleancës,” shtoi ai.
Rama nënvizoi se Kuçova do të shërbeje gjithashtu edhe si bazë kombëtare për Forcën Ajrore Shqiptare dhe investimi i NATO-s në Shqipëri do të sjellë një standart të ri për forcat e armatosura dhe investime për zonën e Kuçovës.
“Padyshim, një investim i këtyre përmasave krijon mundësi të reja për zhvillimin ekonomik e social të gjithë rajonit ku planifikohet ndërtimi i kësaj baze të re ajrore të teknokogjisë së fundit,” përfundoi kryeministri.