Kryetari i PD, Lulzim Basha në mbledhjen e sotme të Partisë Demokratike në çadrën e protestës, ka prezantuar të ftuarin special, përfaqësuesin e partisë së CDU-së në Gjermani, Paul Ziemak.
Në rolin e kryetarit të forumit rinor të partisë demokristiane CDU, Ziemak tha se protesta ishte aq e zhurmshme sa dëgjohej deri në Gjermani.
“Protesta juaj është aq e zhurmshme sa e dëgjojmë deri në Gjermani. Aq e zhurmshme sa vendosa të vij e t’ju mbështes. Erdha si qytetar i botës së lirë dhe si vëlla i njerëzve që kërkojnë demokracinë. Është hera e dytë për mua në këtë vend të mrekullueshëm dhe jam i lumtur që shoh kaq të rinj dhe mesazhi është: Në Gjermani, në Europë dhe në gjithë botën dëgjohet zëri juaj dhe duam t’ju mbështesim sepse të gjithë atyre që janë të korruptuar u themi që do t’ju mundim. Gjëja e parë që më tha sot Basha kur e takova, po fliste për familjen e fëmijët e tij, dhe më tha nuk e bëj këtë për vete, por për fëmijët e mi dhe gjeneratën e re të vendit” tha Ziemak.
“Ju e dini që vetë Gjermania ka qenë e ndarë në dy pjesë. Dhe njerëz që mendonin se nuk do të ndryshonte situata. Por shumë njerëz që menduan si ju me 1989 e rrëzuan murin. Është koha juaj është që të merrni në dorë të ardhmen tuaj”, tha Paul Ziemak.
Ziemak u bëri thirrje shqiptarëve që të bashkohen në këtë lëvizje duke thënë se do të ndihen krenarë që kanë marrë pjesë në këtë lëvizje.
(M.D/ Shuplaka)