Ditën e sotme, fabrika e kompanisë ‘Everest’ që riciklon mbetjet në zonën e Kasharit, u përfshi nga flakët duke prodhuar një shtëllungë të madhe tymi ndotës që mbuloi qiellin e kryeqytetit
Dy vite më parë, pronari i kësaj kompanie, Vullnet Haka, lobonte fort që të miratohej ligji për importin e mbetjeve në Shqipëri, ndërkohë që aso kohe, mësohet se kishte më shumë se katër muaj që nuk paguante punonjësit.
Vullnet Haka është kryetar i Shoqatës së Ricikluesve në Shqipëri, por ndërkohë që lobonte për importin e mbetjeve, nga ana tjetër fabrika e tij nuk respektonte kushtet e sigurisë.
Sot nuk ishte hera e parë që fabrika e tij në Kashar u përfshi nga flakët. Para një viti kompania e tij ‘Everest’ u përfshi nga flakët, ndërsa u gjobit për mos respektim të kushteve të sigurisë.
Ditën e sotme sot, drejtori i zjarrfikëses së Tiranës deklaroi se në fabrikën e riciklimit nuk funksionoi sistemi i alarmit të zjarrit dhe se në fakt zjarrin e lajmëruan banorët.
Gjithashtu banorët e zonës në Kashar deklarojnë për mediat se janë ankuar disa herë për ndotjen që shkaktonin mbetjet në fabrikën e riciklimit, që u dogj sot. Por, pavarësisht ankesave ata deklarojnë se nuk është marrë asnjë masë.