Gjashtë parti politike kanë dorëzuar sot dokumentacionin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për t’u regjistruar për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Partitë që kanë depozituar kërkesat për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore për zgjedhjet e datës 11 maj janë: Partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian, Partia Drejtësia Shoqërore, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare dhe Partia Lëvizja Atdheu.
Sipas afateve të caktuara nga KQZ, më 25 shkurt përfundon afati për regjistrimin e partive politike dhe komiteteve nismëtare.
Gjithashtu më 25 shkurt Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve publikon listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë.
Më 3 mars përfundon afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore.
Më 12 mars përfundon afati për dorëzimin e listave shumemërore të kandidatëve.
Më 17 mars përfundon afati për verifikimin e dokumentacionit të kandidatëve.
Më 20 mars përfundon afati për plotësimin e dokumentacionit të kandidimit.
Më 25 mars përfundon afati për miratimin e listave shumemërore.