Policia Kufitare e Korçës në pikën doganore të Kapshticës ka goditur një tjetër rast të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Sipas policisë janë sekuestruar 31 pako me peshë 32 kilogramë, e dyshuar si lëndë narkotike Cannabis Sattiva. Në pranga e policisë ka rënë 56-vjeçari Mustafa Molla. Ky i fundit teksa ishte duke kaluar kufirin, në vijën e dytë të verefikimit gjatë kontrollit të detajuar të mjetit, konkretisht në një vend të modifikuar (midis sediljeve) u gjet lënda narkotike.
Detaje:
Policia Kufitare godet një tjetër rast të “Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Sekuestrohen 31 pako me peshë 32 KG lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva. Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës. Shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Narkotikët në DVP-Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit : Mustafa Molla, 56 vjeç, banues në Tiranë. Më datë 06.02.2017, shtetasi i mësipërm është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë, me automjetin tip “Peugeot” me targa AA546NS. Nisur nga dyshimet e shfaqura ky mjet u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për verifikim në vijën e dytë. Gjatë kontrollit në skaner, u shfaqën dyshime se në pjesën e dyshemesë, mund të ishte fshehur lëndë e dyshuar narkotike. Gjatë kontrollit të detajuar të mjetit konkretisht në një vend të modifikuar (midis sediljeve) u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale : 31 pako të mbështjella me letër natriban me peshë 32 Kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva. Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe marrja e deklarimeve rezulton se shtetasi i mësipërm kishte si destinacion Turqinë. Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 283/a dhe 22 i Kodit Penal. (J.V/Shuplaka)
Discussion about this post