Alfred Cenkollari, biznesmeni nga Pogradeci ka dhënë dëshminë para policisë duke thënë se automjeti i cili iu dogj gjatë natës mund të ketë pësuar defekt. Në fjalën e tij shtoi se nuk dyshon të ketë qenë zjarrvënie, ndërsa pohon se nuk ka një emër ku dyshon.
“Dje e përdora makinën shumë gjatë, mund të ketë pasur defekt. Zjarri në makinë mund të ketë qenë aksidental. Nuk kam konflikte”, tha Cenkollari ndërsa kërkoi zbardhjen e ngjarjes pasi ndihet i pasigurt për jetën dhe familjen e tij.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës përreth për të parë nëse ka pasur ndërhyrje në mjetin e tij nga dikush tjetër. Faxëeb.al raportoi më parë se mjeti u shkrumbua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Pogradec. Policia njoftoi se rreth orës 04:30, në lagjen nr. 3, ra zjarri në mjetin e parkuar tip “BMW X6″, në pronësi të një firme private.
Burimet mësuan se mjeti i djegur është në pronësi të biznesmenit Alfred Cenkollari, pronar i disa bizneseve dhe një restoranti në Pogradec, ”Rosa e Tymosur”, i cili ka qenë një ndër vendet më të frekuentuara në qytetin liqenor. Po ashtu Cenkollari ka pronësi dhe një karburant në Pogradec.(A.M/Faxweb.al)