Policia e Tiranës ka reaguar në lidhje me aksidentin me vdekje të ndodhur te ‘Bulevardi i ri’ në zonën e Yzberishtit.
Në njoftim bëhet me dije se në aksident janë përfshirë dy automjete dhe një motor ku për pasojë ka mbetur i vdekur në vend 45-vjeçari Fatmir Avdillari, i njohur si “Xubi i Yzberishtit”, një person dënuar më parë për vrasje i liruar nga burgu në vitin 2008.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur e lënduar dhe drejtuesja 38-vjeçare e njërit prej mjeteve, e cila është transportuar me urgjencë në spital.
Grupi hetimor dhe policia ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i plotë i policisë: Tiranë/Informacion paraprak
Me datë 11.05.2021, rreth orës 14:15, tek bulevardi “Migjeni”, janë përfshirë në aksident mjeti tip “Toyota” me drejtuese shtetasen E. M., 38 vjeçe me mjetin tip “Opel” me drejtues L. P., 40 vjeç dhe me mjetin motorr me drejtues F. A. Si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë në vendngjarje drejtuesi i mjetit motorr shtetasi F.A., rreth 45 vjeç, si dhe është dërguar në spital drejtuesja e mjetit E. M., dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Por kush është ‘Xubi i Yzberishtit?
Avdillari i njohur edhe si “Xubi i Yzberishtit”, disa muaj më parë iu kërkua deklarimi i pasurisë nga OFL, ndërsa ishte një nga anëtarët e bandës së Yzberishtit në vitet ’97-’98 së bashku me dy vëllezërit e tij, Nazmi dhe Ilir Avdillari, ky i fundit i njohur edhe si “koka” e grupit.
Ilir Avdillari gjendet në burg, pasi bashkë me vëllezërit e tij, Fatmir dhe Nazmi Avdillari janë akuzuar se kanë vrarë më 27 janar ’98 biznesmenin italian Stefano Rossi, pronari i fabrikës “Niki Shoes”.Ngjarja ka ndodhur 100 metra larg fabrikës, kur biznesmeni italian sapo kishte tërhequr 30 milionë lireta nga Banka Italo-Shqiptare.
Xubi ka qenë dënuar me 12 vjet burg, ndërsa doli nga qelia në 2008. Një vit pasi doli ai ekzekutoi Ardian Tahirin në 11 prill 2009. Tahiri u vra me një plumb në kokë në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë. Në atë kohë ‘Xubi’ pranoi në gjykatë krimin dhe deklaroi se Tahirin e kishte ndjekur prej një jave. Arsyet sipas policisw lidheshin me hakmarrjen, pasi Avdillari ka pasur dyshime se emigranti Ardian Tahiri i kishte vrarë vëllain, Fiqiri Avdillarin në Athinë.
Vëllezërit janë akuzuar edhe për shumë veprat të tjera penale, mes të cilave renditet edhe shitja e lëndëve narkotike në zonën e Kombinatit, Yzberishtit dhe Kasharit, ku edhe banda vepronte. Një tjetër vrasje ku akuzohen vëllezërit Avdillari, është edhe ajo e Shkëlqim Xhabaftit, i njohur si i forti i Selitës. Në vitin 1998 u dyshua asokohe se Xhabafi ishte vrarë nga vëllezërit Avdillari, të njohur si të fortët e Yzberishtit, pas hasmërisë mes dy bandave, asaj të Yzberishtit dhe asaj të Selitës. Pas vrasjes së Shkëlqim Xhabaftit, familja Xhabafti ka qenë në hasmëri edhe me familjen Avdillari.
Si ndodhi vrasja?
Vrasja e Shkëlqim Xhabaftit u krye për një konflikt që lidhej me makinën e një biznesmeni italian. Vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari i kishin grabitur makinën një biznesmeni italian dhe ky i fundit i kërkon ndihmë Xhabaftit. Kapoja i Selitës, së bashku me një inspektor rendi shkuan te rivalët e Yzberishtit për të biseduar se si mund t’ia kthenin makinën të huajit, por në bisedë e sipër debati është nxehur dhe vëllezërit Nazmi e Ilir Avdillari kanë vrarë Xhabaftin.