Ndryshon sërish çmimi i karburanteve në Shqipëri.
Nga një vëzhgim në pikat e karburantit vërehet se nafta sot shitet me 231 lekë për litër, duke rënë me 6 lekë të tjera. Kurse benzina ka pësuar një rritje të lehtë. Ajo rritet me 1 lekë, duke u shitur në treg 212 lekë/ litër.
Çmimi i gazit ka rënë në 115 lekë/litri, nga 116 për litër që shitej në ditët e kaluara. Pra një rënie e lehtë pas rritje me 6 lekë që pësoi 2 ditë më parë.
Kjo ulje e çmimit të karburantit vjen pas rënies edhe në bursën ndërkombëtare, pasi këtë të premte 1 fuçi naftë luhatet në vlerën 102-103 dollarë. Ndërkohë pak ditë më parë çmimi për fuçi arriti deri në 120 dollarë në datat 24 dhe 25 mars. Ndërkohë, në krahasim me fillimin e muajit mars, çmimi sot është 10 dollarë fuçia më pak.
Vendimi i Bordit të Transparencës datë 31.3.2022:
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 31 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:
1. Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë 02.04.2022, si më poshtë:
• 219 Lekë/litri për gazoilin;
• 200 Lekë/litri për benzinën;
• 103 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.
2. Miratimin e çmimit tavan të tregtimit me pakicë të produkteve për datën 01.04.2022 deri më datë 02.04.2022, si më poshtë:
• 231 Lekë/litri për gazoilin;
• 212 Lekë/litri për benzinën;
• 115 Lekë /litri për gazit të lëngshëm të naftës.*( çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 1 Prill, deri në datë 2.4.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë. Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim.