“Shkodra është një qytet mikpritës që të ofron shumëçka”, ka thënë Bardh Spahia, në një bisedë me gazetaren Aida Shtino, në emisionin “Identitet”. Shtino dhe Spahia, kanë zgjedhur ta zhvillojnë bisedën në pamjen e mrekullueshme të Shirokës.
Në bisedën e tyre, flitet për bukuritë e veçanta që qyteti historik i Shkodrës ka. Sakaq, një pikë e rëndësishme e diskutimit janë emigrantët shkodranë, të cilët përgjatë historisë nuk i kanë ndalur emigrimet e tyre. Të shquar për kulturën e tyre të përgjithshme, ata kanë synuar të emigrojnë dhe gjatë viteve të regjimit komunist, por edhe para 45’.
I pyetur nga gazetarja, në lidhje me ndonjë projekt për t’i përfshirë shkodranët e diasporës në ekonominë dhe kulturën e Shkodrës, Spahia tregon që gjatë muajve të fundit, janë hartuar disa programe që synojnë pikërisht këtë gjë.
Aida Shtino: Bardhi mirë se ju gjeta! Është kënaqësi sa herë vij në Shkodër dhe ndiej aromën e qytetarisë, bujarisë dhe humorin e shkodranëve. Për një vizitor që vjen për herë të parë në Shkodër, ku duhet të shkojë?
Bardh Spahia: Të falënderoj për vizitën dhe fjalët e bukura. Ky është efekti që të jep Shkodra, porsa hynë. Shkodra është një qytet mikpritës që të ofron shumëçka. Duke filluar nga Alpet e Shqipërisë dhe disa nga fshatrat turistikë, ndër më të bukurit në Ballkan.
Në një qytet të lashtë, jashtëzakonisht të njohur dhe përtej Shqipërisë, për historikun dhe rëndësinë që ka në rajon dhe për traditat e hershme në fushat e kulturës, artit, sportit, muzikës e të tjerë. Për të vazhduar në Shirok, në malin e Taraboshit, me këtë pamje të mrekullueshme të Liqenit të Shkodrës dhe qytetit, me alpet në sfond. Shikohet nga këtu qyteti i Shkodrës, qyteti i Koplikut dhe jemi praktikisht në brigjet e liqenit më të madh në Ballkan dhe i treti për nga sipërfaqja në Evropë.
Aida Shtino: Nga Shkodra dimë që kanë emigruar brez pas brezi dhe në diasporë kemi shumë shkodranë. Më ka bërë përshtypje, në një vizitë në Tiranë, në çdo shtet që shkoja, gjeja shumë shkodranë. Të cilit, një pjesë është larguar dhe para viteve 90’, përpara regjimit komunist, të cilët krenarë thonë që kishin prejardhje nga Shkodra. A ka ndonjë synim për rikthimin e tyre, investimin e tyre në Shkodër.
Bardh Spahia: Keni cekur një pikë mjaft interesante, të cilën edhe gjatë muajve të fundit, ne i kemi identifikuar si një prej mundësive të arta jo vetëm për promovimin, por edhe për stimulimin ekonomik të Shkodrës. Ju e thatë, shkodranët e mbartin me vete krenarinë e prejardhjes, ka arsye të forta, kanë të drejtë. Ka pasur vazhdimisht një emigracion nga Shkodra, ku dhe gjatë komunizmit është tentuar largimi.
Gjithashtu edhe para viteve 40’. Falë kulturës dhe mundësive, e kanë pasur mundësinë e emigrimit. Fakti që sot, ashtu sikurse para shumë vitesh, ata ngelen po shkodranë dhe shprehin interesin ndaj Shkodrës për të investuar dhe për të qenë prezent në territorin e Shkodrës. Ne na obligon të krijojmë politikat tona dhe të ndërtojmë kushtet për kanalizimin e qytetarëve shkodranë në gjithë botën. Kemi menduar të ngremë drejtoritë e posaçme për të forcuar kontaktin me emigrantët shkodranë.
Aida Shtino: Kemi shumë për të thënë, por unë duhet të vijë dhe një herë në Shkodër, sepse duhet të rrish mbi një javë që të zbulosh të gjitha resurset dhe t’ia tregosh ato publikut. Për mua ishte një udhëtim shumë i bukur dhe besoj që edhe për teleshikuesit.