Njëri prej djemve të bosit famëkeq të drogës, El Chapo, është ekstraduar në SHBA. Lajmin e konfirmoi Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Merrick Garland.
Ovidio Guzman akuzohet se bashkë me vëllain e tij, kanë drejtuar Kartelin e Sinaloas pas arrestimit të babait të tyre. Ovidio akuzohet gjithashtu se urdhëroi vrasjen e një këngëtari i cili nuk kishte pranuar të këndonte në dasmën e tij.
Ai u arretua në janar në Sinaloa dhe që prej asaj kohe ka qëndruar në burg në Meksikë, në pritje të ekstradimit.
“Ku veprim është hapi i fundit në përpjekjet e Departamentit të Drejtësisë për të sulmuar çdo aspekt të kartelit”, tha Garland në një deklaratë. “Lufta kundër karteleve, tregon guximin e agjentëve tanë ligjzbatues, shumë prej të cilëve kanë dhënë edhe jetët e tyre, për të ndjekur drejtësinë”.
Pak ditë më parë, gruaja 33-vjeçare e El Chapos, Emma Coronel, u lirua nga burgu në SHBA, ku qëndronte prej vitit 2021. Bashkëshorti i saj vuan dënimin me burgim të përjetshëm në Burgun AD Max në Kolorado, ku i lejohet të dalë nga qelia vetëm një orë në ditë.
Ovidio Guzman është njëri prej katër djemve të El Chapos, i lindur nga marrëdhënia e tij me Griselda Lopez në vitet 1980 dhe 1990. Djali i madh i tyre, Edgar, u vra gjatë një konflikti mes karteleve, në vitin 2008. El Chapo ka edhe fëmijë të tjerë nga martesa e mëparshme dhe ajo me Emma Coronel.
Gjatë operacionit në Kuliakan për arrestimin e Ovidios, të njohu redhe si “El Raton” – “Miu”, u vranë 29 persona. Ai u transportua me helikopter për në Meksiko Siti për të shmangur ndonjë sulm të mundshëm të ushtarëve të tij.
Karteli i Sinaloas është një organizatë kriminale me bazë ne Sinaloa, Meksikë dhe sipas agjencive ligjzbatuese amerikane, anëtarët e saj kanë trafikuar më shumë se 1000 tonë kokainë, marijuanë, metamfetaminë dhe heroinë në SHBA.
Anëtarët e këtij karteli kanë marrë peng, torturuar dhe vrarë anëtarët e bandave rivale, si dhe kanë arritur të korruptojnë efektivë policie dhe politikanë në Meksikë dhe në Amerikën Qendrore, për të konsoliduar pushtetin e tyre.