Është mbyllur procesi i votimeve për Bashkinë Kukës në orën 19:00.
Kryetari i KZAZ numër 11, Sahit Doçi tregon se nuk ka pasur asnjë incident, ndërsa bën me dije se numërimi do të vazhdojë deri rreth orës 23:00.
Sahit Doçi: Procesi i votimit është mbyllur në orën 19:00. Nuk kemi pasur asnjë lloj problemi, ndërsa ka filluar dorëzimi i materialeve zgjedhore në KZAZ numër 11. Numërimi vazhdon deri rreth orës 23:00. Në fillim pjesëmarrja ka qenë nga qyteti.
Kukësianët kanë dalë në votime ditën e sotme për të zgjedhur kryebashkiakun e tyre të ri. Në garë janë Emri Vata i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj i PS.
Emri Vata, i zgjedhur nëpërmjet procesit të primareve, vjen nga radhët e policisë ku ka mbajtur dhe poste drejtuese. Ndërsa Albert Halilaj ka mbajtur postin e prefektit të qarkut të Kukësit dhe më herët ka qenë në krye të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Kukës.