Të gjitha kutitë, që përmbajnë rreth 50% të fletëve të votuesve janë dorëzuar në KZAZ numër 11, nga ku do të bëhet dhe numërimi.
Qytetarët e Kukësit votuan këtë të diel, në zgjedhjet e parakohshme vendore, për kryetarin e ri të bashkisë.
Procesi i votimit u mbyll në orë 19:00, pasi votuan rreth 50 për qind e zgjedhësve. Më pak qytetarë ushtruan të drejtën e votës, krahasuar me zgjedhjet e 14 majit, ku fitoi socialisti Safet Gjici, mandati i të cilit zgjati pak për shkak të skandalit seksual, ku ai u përfshi.
Në garë për të marrë drejtimin e bashkisë të Kukësit janë kandidati i Partisë Socialiste, Albert Halilaj dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Emri Vata. Edhe në këto zgjedhje, Partia Demokratike zgjodhi që të mos dalë me kandidat.