Gazment Bardhi ka propozuar përmes një postimi në rrjetin social X, që rezoluta e miratuar në Kuvendin e Kosovës të miratohet edhe në Parlamentin shqiptar.
Ditën e sotme në Kuvendin e Kosovës u miratua një rezolutë ku dënohet sulmi i terroristëve serbë të financuar nga Beogradi në Bënjskë., ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.
Bardhi gjithashtu propozon që në Parlament seancën e rradhës të mbahet edhe një mocion me debat për ngjarjet në Kosovë, pasi Kuvendi i Shqipërisë duhet të jetë i harmonizuar me atë kosovar.
Postimi i Gazment Bardhit:
Fjalët që ndryshojnë sipas orëve të Edi Ramës në raport me zhvillimet në Kosovë nuk kanë asnjë vlerë. Është koha që Republika e Shqipërisë të veprojë në mbështetje të Kosovës.
Rezoluta e miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës duhet të miratohet pa asnjë vonesë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë. Si kryetar i Grupit Parlamentar të PD do të propozoj një mocion me debat mbi këtë çështje dhe në përfundim të të cilit, do të propozojmë miratimin e Rezolutës.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të harmonizojë plotësisht qëndrimin e tij me Kuvendin e Kosovës, duke kërkuar nga qeveria shqiptare, që në bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe aleatët ndërkombëtarë, të kërkojë dhe nxisë një hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë.