Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në Kongresin e PS, u ndal tek projektet infrastrukturore rrugore dhe ajrore.
Siç shtoi ajo, plani i prezantuar në vitin 2019 për aviacionin civil tashmë është i prekshëm duke nisur nga aeroporti i Kukësit deri tek punimet në atë të Vlorës. Sipas ministres, një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe infrastrukturës hekurudhore.
“Ne jemi ajo parti që dimë të qëndrojmë në ditë të vështira dhe të suksesit, që mbështesim njëri tjetrin, që bëjmë ndryshimin sepse ne jemi partia e shqiptarëve. Në 2021, sërish në këtë sallë të gjithë prezantuam vizionin e PS ’20-30, i cili nuk ishte një titull futuristik apo për të rrokur vëmendjen dhe padyshim sot që flasim është kthyer në një udhërrëfyes vizioni ynë 20-30 për ekipin që duhet të sjellë suksesin, që ka nisur zbatimin dhe ne nuk flasim as me video 3D, as përralla. Flasim me vepra dhe punë. Do të nisja me paketën bazë të zhvillimit, që është infrastruktura dhe energjia dhe që janë në funksion të zhvillimit ekonomik. Kemi nisur projekte të shumta që sot janë të prekshme. Duke nisur nga korridoret që tashmë nuk janë thjesht rrugë të territorit shqiptar por pan evropiane si Korridori Blu. Nga ana tjetër të gjitha kontratat që do te vijojnë janë në faza të avancuara. Pas një pune të fortë me Komisionin Evropian kemi arritur që Korridori 8 të jetë pjesë e rrjeteve pan evropiane të transportit. Ndërtohet në të gjithë Shqipërinë një e ardhme e sigurt dhe jo siç bëhej dikur me rrugët që nuk lidheshin dot me njëra-tjetrën por ndërtojmë projekte të mirëstudiuatra që mbështesin të gjitha fushat ekonomike. Duke rritur kapacitetin infrastrukturor të vendit, kemi mbështetur sektorin e turizmit, bujqësisë, ekonominë dhe kulturën. Përveç ndërtimit të këtyre rrugëve duhet t’i mirëmbajmë ndaj në buxhetin e 2024 është parashikuar mirëmbajtja e 3606 km rrugëve.“, tha ministrja.